Dr Jusuf Kardavi, kryetar i Akademisë së dijetarëve
islamë, gjatë hutbes së namazit të xhumasë, komentoi deklaratën e ish
presidentit tunizian, Zejnu-l-Abidin, të cilën e vlerësoi si të vonuar,
mashtruese dhe të pa pranuar. Ai apeloi që të gjithë përgjegjësit që e
sollën popullin në këtë derexhe, që ua morën të drejtën, ua nëpërkëmbën
pasurinë dhe e vranë këtë popull të dalin para drejtësisë, kurse ata që
dhanë jetën për këtë revolucion në Tunizi i vlerësoi si shehidë
(dëshmorë) nga këmbët deri te koka. Prof. Kardavi apeloi te populli t’i
kthehen vetes, dhe të marrin çështjet në duart e tyre përmes
institucioneve të reja dhe të hynë në një botë të re.
Dr. Jusuf Kardavi, përmes këtij fjalimi iu drejtua
edhe shumicës së udhëheqësve islamë, duke u thënë se shumica e tyre nuk
po punojnë për të mirën e popullit të tyre. Ata po punojnë vetëm për të
mirën e vetes së tyre, që ata të trashen e populli të thahet, populli le
të mbetet i uritur, e ata të ngopen, mirëpo si duket ata asnjëherë nuk
do të ngopen, sepse janë bërë sikur Xhehenemi, që sa herë do t’i thuhet:
A je ngopur, ai do të thotë, a ka edhe më?!
Ai përmes kësaj ligjërate, porositi edhe udhëheqësit e tjerë
muslimanë, që të marrin shembull nga kjo që po ndodhë në Tunizi. Ua bëri
me dije se udhëheqësi më i mirë është ai që e donë popullin e vet dhe
që populli e donë atë, e jo ata që shkatërrojnë popullin e vet dhe në
fund nuk gjejnë vend për shpëtim nga populli i tyre.
“Me fatkeqësi më duhet të konstatoj se shumë muslimanë janë të
sprovuar me udhëheqës të këtillë, të cilët e braktisin dhe e shtypin
popullin e vet. Por, është gabim të mendoj dikush se ky popull i shtypur
do të qëndrojë në heshtje deri në pafund, ata një ditë patjetër do të
vlojnë dhe do të kërkojnë të drejtën e tyre”, është shprehur ndër të tjerash shejhu i nderuar.
Prof. Kardavi vlerëson se nuk është vetëm populli i Tunizisë, që
bijtë e tyre kanë kryer shkolla dhe nuk gjejnë punë, nuk gjejnë ushqim,
nuk gjejnë veshmbathje, nuk i gjejnë gjërat elementare të jetës, derisa
të tjerët kënaqen me miliona e miliona nëpër vende të ndryshme, por se
si duket kjo fillimisht vloi në Tunizi dhe do të jetë shembull edhe për
të tjerët që të dalin nga heshtja.
Kardavi në fund nuk ngeli pa e potencuar edhe një dukuri interesante,
duke iu drejtuar Perëndimit që të mos përfitojnë nga kjo fatkeqësi duke
u thënë: “
Largoni duart tuaja nga popujt tanë!”Këto ishin disa fjalë të
Dr. Jusuf Kardavit që ia drejtoi opinionit nga hutbeja e djeshme e ditës së xhuma.
(Islamonline / Breziiri)