Shërbimet izraelite dhe ato amerikane të zbulimit kanë bashkëpunuar
në krijimin e virusit informatik Stuxnet që synon sabotimin e programit
bërthamor iranian, njoftoi dje e përditshmja amerikane “The New York
Times”.
“Izraeli e ka testuar me efikasitet virusin në kompleksin bërthamor
Dimona, që ndodhet në shkretëtirën Negev, ku zhvillohet programi i
armatimit bërthamor izraelit”, bën të ditur edicioni në internet i “New
York Times” që citon ekspertë ushtarakë dhe të zbulimit.
Sipas burimeve të së përditshmes, krijimi i këtij virusi
shkatërrimtar është një projekt amerikano-izraelit, me ndihmën e
Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
Disa ekspertë kanë shprehur disa herë dyshimin se Izraeli është
ideatori i virusit Stuxnet, që preku centrifugat iraniane të prodhimit
të uraniumit të pasuruar.
Ministri izraelit i Çështjeve strategjike, Moshe Jalon është shprehur
në fund të dhjetorit se disa vështirësi të hasura kohët e fundit nga
programi bërthamor iranian kanë vonuar me disa vjet mundësinë e
Teheranit për prodhimin e bombës bërthamore.
Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar e
akuzojnë Iranin se po përpiqet të pajiset me armën bërthamore nën
pretekstin e një programi bërthamor civil, gjë që Teherani e
kundërshton.
Virusi Stuxnet, i kapur përpara disa muajve, prek sistemin Siemens të
kontrollit të automatëve industrialë shumë të përdorur në sektorët e
ujit, të platformave të naftës dhe të centraleve elektrike.
Sipas ekspertëve, funksioni i tij mendohet të jetë modifikimi i
adminisrimit të disa aktiviteteve për të sjellë shkatërrimin fizik të
objekteve të prekura.
Stuxnet mendohet të ketë prekur fillimisht Iranin, gjë që të bën të
mendosh se është konceptuar për sabotimin e objekteve të tij bërthamore,
por duket se ai ka prekur gjithashtu Indinë, Indonezinë ose Pakistanin.
(TRT)