Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka organizuar ditën e shtunë
datë 15/01/2011 seminare trajnimi me imamët e xhamive në qytetet e
Durrësit dhe të Shkodrës. Seminari i trajnimit me temë “Funksionimi i
institucionit dhe roli i imamit”, ka pasur si qëllim implementimin e
mënyrave të reja përfshi ato aktualet në përkushtimin, që duhet të
tregojnë imamët ndaj detyrës së tyre fisnike.Në trajnimin e zhvilluar me imamët e Myftinisë Shkodër, kanë qenë të
pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, Drejtori i Arsimit dhe
Rinisë, z. Altin Shima, si dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, z.
Astrit Zharri, kurse në trajnimin e imamëve të Myftinisë Durrës kanë
qenë të pranishëm Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm z. Ylli Gurra,
Drejtori i Burimeve Njerëzore z. Dorian Demetja, si dhe Drejtori
Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar, z. Genti Kruja. Seminaret janë hapur
fillimisht nga myftinjtë përkatës të rretheve Shkodër dhe Durrës,
zotërinjtë Muhamed Sytari dhe Redin Quku.
Në këto takime, drejtuesit e trajnimit, si fillim janë njohur me
shqetësimet dhe kërkesat e imamëve, duke pasur si motiv zgjidhjen tyre
sa më të shpejtë. Seminari më pas ka vazhduar normalisht sipas programit
të përcaktuar ku është folur nga vijat e përgjithshme, deri në detajet
më të hollësishme, lidhur me detyrën profetike të Imamit. Seminari ka
pasur në fokus temat si:
1-Hierarkia dhe rëndësia e saj
2-Detyrat e imamit
3-Marrëdhëniet imam-xhemat
4-Marrëdhëniet e imamit me komunitetet e tjera fetare.
5-Prezantimi i Islamit në nivele të larta përfaqësimi
6-Organizimi i aktiviteteve
7-Detyrat morale të imamit
8-Veçoritë e predikimit, etj.
Këto seminare do të shtrihen në të gjitha myftinitë e Shqipërisë,
duke i dhënë pjesëmarrësve edhe nga një certifikatë pjesëmarrjeje.
(KMSH)