Kryeministri Erdoan në një artikull të publikuar në numrin e sotëm të
revistës amerikane “Newsweek” nënvizon rolin efektiv që luajnë në
ekonominë globale fuqitë e reja botërore që kanë dalë në pah pas
zhvillimeve ekonomike dhe politike në botë, ku mes këtyre vendeve bëjnë
pjesë edhe Brazili, me Indinë dhe Turqinë.
Erdoan theksoi se pas këtyre zhvillimeve ekonomike dhe politike ka
nisur të ndjehet seriozisht nevoja për ristrukturimin e Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në mënyrë që ta përfaqësojë edhe më
mirë sistemin ndërkombëtar.
-Turqia si një vend kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian e ka
vërtetuar veten e saj në skenën globale me zhvillimin impresionues
ekonomik dhe stabilitetin politik, u shpreh Erdoan dhe veçoi se Turqia
është ekonomia me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe situata do të
vazhdojë të jetë e njëjtë edhe në vitin 2011.
Erdoan rikujtoi parashikimin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik
dhe Zhvillim, sipas të cilës në vitin 2050 Turqia do të jetë ekonomia e
dytë më e madhe në Evropë, ndërsa shtoi se “Turqia zotëron një energji
të madhe, për të cilën Bashkimi Evropian ka shumë nevojë”.
-Turqia ka nisur të bëhet një lojtar global dhe rajonal jo vetëm me
ekonominë e saj por edhe me fuqinë e butë (diplomacinë),- tha Erdoan.
Në artikullin e tij Erdoan ndalet edhe në anëtarësimin e Turqisë në
Bashkimin Evropian, ku shprehet me fjalët: “Ne tani nuk jemi më një vend
i butë që përgjërohet para derës së BE-së”.
-“Bashkimi Evropian ka nevojë për Turqinë, për t’u bërë një union më i
fuqishëm, më i pasur, më i gjithanshëm dhe më i siguritë, sidomos në
rendin botëror ku ekuilibri i fuqisë ndryshon drejtim. Shpresoj që miqtë
tanë evropianë ta kuptojnë shpejt këtë të vërtetë”, thotë Erdoan në
artikullin e publikuar në revistën amerikane “Newsweek”