Protestat e ashpra të popullsisë bënë që presidenti i Tunizisë të
largohet prej vendit. Një ngjarje deri tani unikale me rëndësi të madhe
për të gjithë rajonin.
Ajo që ndodhi në Tunizi është një ngjarje historike dhe një sinjal i
fortë për të gjithë botën arabe. Kjo tregon se popujt mund të ngrihen
me sukses kundër sundimtarëve autoritarë dhe të korruptuar, që
„ndryshimi i pushtetit“ me forcat e veta është i mundshëm - pa
ndërhyrje ushtarake nga brenda apo nga jashtë, madje pa drejtimin e
politikanëve të opozitës apo të aktorëve të shoqërisë civile.
Në blloqet dhe forumet arabe të internetit vihet re një valë simpatie
me rininë tuniziane, e cila duhet të jetë një shenjë paralajmërimi për
sundimtarët e rajonit. Padrejtësia sociale, korrupsioni dhe papunësia në
radhët e të rinjve janë të përhapura thuajse kudo në këto vende,
represioni politik është në shumë nga këto vende në rend të ditës.
Këtyre u shtohen zemërimi dhe zhgënjimi për shkak të mungesës së
perspektivave për të jetuar dhe ndjenja e thellë e mungesës së
dinjitetit personal – një përzierje tepër eksplozive në një rajon plot
konflikte dhe të paqëndrueshëm të botës.
Tunizia nuk është rast unikal, shumë shoqëri të botës arabe ziejnë,
të paktën nga brenda. Dhe thuajse kudo rinia, që përbën praktikisht
pjesën më të madhe të popullsisë, ofron edhe potencialin më të madh
shoqëror. Edhe Algjeria dhe Jordania përjetuan këto ditë demonstrata të
forta, në Egjipt ka rregullisht protesta. Ato mund të pasohen nga
protesta në vende të tjera.
Një dinamikë e tillë, e vështirë për t'u kontrolluar, është e
dëshirueshme vetëm deri në një farë mënyre, pra me kushte. Revolta e
rinisë tuniziane çoi në përmbysjen e një sundimtari autoritar – kjo pa
dyshim është një arritje pozitive. Por gjatë revoltave pati edhe të
vrarë dhe zhvillimi i mëtejshëm i vendit mbetet fillimisht krejtësisht i
pasigurt. Në rastin më të mirë Tunizia mund të zhvillohet në një shtet
demokratik model për rajonin. Në rastin më të keq vendi mund të
kërcënohet nga një kaos dhe gjakderdhje e re.
Të gjithë aktorët në Tunizi kanë tani përgjegjësi të madhe, e cila
simbolikisht i kalon kufijtë e vetë vendit. Forcat që kanë mbetur prej
regjimit të vjetër, por edhe opozita, shoqëria civile dhe protestuesit e
„rrugëve“ – të gjithë duhet ta kenë si detyrim, që të mundësojnë një
ndryshim transparent dhe njëkohësisht të rregullt të pushtetit. Duhet të
duket qartë që regjimi i vjetër po e dorëzon vërtet pushtetin dhe po
hap rrugën për liri, pluralizëm dhe më tepër drejtësi sociale. Por edhe
dhuna e rrugëve duhet të marrë tani sa më shpejt fund.
Evropa si rajon fqinjë i vendeve të Magrebit dhe të botës arabe duhet
gjithashtu të nxjerrë mësime prej ngjarjeve në Tunizi. Mësimi më i
rëndësishëm është: Evropa nuk duhet të shohë mënjanë, kur sundimtarët që
bashkëpunojnë politikisht dhe ekonomikisht ngushtë me BE, nuk
respektojnë të drejtat elementare të njeriut apo – si së fundi në rastin
e Egjiptit – i manipulojnë zgjedhjet pa pikë turpi. Shembulli i
Tunizisë bën të qartë se regjimet autoritare premtojnë vetëm një
stabilitet të rremë. /dw/