Ata parapëlqenin shumë që njerëzit t’i konsideronin dhe t’i quanin
“Familja e parë e Tunizisë”. Për popullin të cilin e sunduan për 23
vjet, presidenti Ben Ali dhe klani i tij nuk ishin veçse një klikë
sunduese uzurpuese e pushtetit, me një lakmi dhe nepotizëm që i kishte
shtrirë metastazat kanceroze në të gjitha sferat e jetës ekonomike dhe
politike të vendit. Pikërisht kjo lakmi dhe arrogancë ishte edhe shkaku i
fundit të tyre.
Ben Ali në gjurmët e shumë diktatorëve të tjerë si ai i Ugandës,
Idi Amin, e të tjerë të sërës së tij, mori një ofertë nga Arabia Saudite
për t’u strehuar, pasi u përzu me shqelma nga populli i tij. Dhe
kështu, pavarësisht sa e çfarë bëri në vendin e tij, ai do të nisë, si
shumë ish-homologë të tjerë të përmbysur, një periudhë pensioni me shumë
rehati dhe pasuri. Por, ndërsa miliona tunizianë festuan nëpër rrugë
fundin e sundimit të tij 23-vjeçar, njerëzit janë të lumtur që së
bashkë me të iku edhe një klikë e tërë shushunjash që u pinë gjakun
prej vitesh.
Njëra prej tyre ishte pikërisht bashkëshortja e Ben Ali, Leila, në
fakt, bashkëshortja e dytë e tij, një femër atraktive dhe 20 vjet më e
re, e cila në fakt konsiderohej nga të gjithë si njeriu i vërtetë që
qeveriste vendin dhe si dora që fshihej pas fronit të Ben Ali. Leila ka
qenë parukiere në të shkuarën e saj të largët, por me sa duket brenda
saj ka pasuri dhe ambicie shumë më të mëdha nga sa ia lejonte
profesioni. Vinte nga një shtresë e varfër dhe pasi u martua me
presidentin e vendit është akuzuar se e ka përdorur këtë martesë për ta
shndërruar familjen e saj të varfër në njërën prej klikave më të pasura
të vendit me pasuri që nuk mund të llogariten.
Duke filluar që nga e shtuna e kaluar, tashmë ish-çifti i parë i
Tunizisë ka nisur të mbajë një profil shumë më të ulët se më parë.
Arsyeja është e kuptueshme. Ben Ali është nisur drejt qytetit të bukur
bregdetar saudit, Jedah, ku krimineli Idi Amin, pasi masakroi popullin e
tij kaloi në paqe dhe pasuri vitet e fundit të jetës nën protektoratin
e sauditëve.
Ndërkohë, ka thashetheme se gruaja e tij, e cila thuhet se e ka lënë
vendin më parë, ka shkuar në Dubai, një vend të cilin ajo e
frekuentonte shumë shpesh në të shkuarën për të bërë blerjet e saj të
pafundme. Sipas një analisti politik, i gjithë pushteti i presidentit
dhe pasuria e tij ishin përqendruar në duart e familjes së tij,
veçanërisht të së shoqes. Ai ishte kaq arrogant, sa arriti të minonte
edhe vetë pushtetin e tij me sjelljet që bënte dhe të largonte nga
vetja edhe mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e afërt që e kishin
ndihmuar dhe këshilluar.
Veç kësaj, me sjelljet e tij nepotiste, ai bëri shumë armiq edhe në
komunitetin e biznesit. Në publik, Zonja e Parë e vendit hiqej si një
grua përparimtare arabe, duke kryesuar fondacione bamirësie dhe duke
folur gjithmonë për të drejtat e grave dhe liritë e tyre në botën arabe.
Por, kritikët e saj thonë se në prapaskenë ajo kishte një tjetër
agjendë dhe qëllimi i saj i vetëm ishte lakmia për t’u pasuruar dhe për
të pasur sa më shumë pushtet. Ajo ishte tipike një Imelda Markos e
Tunizisë. Por, kritikat kundër saj ishin shumë të rralla në medien
tuniziane, të shtypur dhe të kontrolluar po nga njerëzit e familjes
presidenciale.
Madje, pjesa më e madhe e medies, asaj të shkruar dhe elektronike,
është në pronësi të familjes së ish-presidentit. Por, qeveria nuk mund
të ndalonte që të rinjtë e vendit të kishin qasje në internet dhe të
shihnin me sytë e tyre realitetin e ndryrë të vendit edhe përmes
raporteve të “Wikileaks”.
Në këto raporte, ish-ambasadori amerikan në Tuniz shkruante shumë në
lidhje me mënyrën ekstravagante të jetesës së elitës së vendit.
Në njërin prej këtyre materialeve përshkruhet një darkë tepër luksoze e
shtruar në shtëpinë e Mohamed Sakher El Materi, një biznesmen
miliarder, dhëndri i presidentit dhe pasuesi i tij i mundshëm deri pak
kohë më parë. Sipas ambasadorit, salla e ngrënies ishte e zbukuruar me
objekte të vjetra dhe shumë të shtrenjta, ndërkohë që tryeza ishte
shtruar me ushqime të sjella nga vende të ndryshme të botës posaçërisht
me aeroplan për atë darkë. Ndërkohë, i zoti i shtëpisë kishte në kafaz,
si kafshë shtëpiake, një tigër.
Ndërsa pjesa më e madhe e tunizianëve luftonte për mbijetesë dhe e
kishte shumë të vështirë që të gjejë një vend të denjë pune, familja e
parë e vendit zhytej në luks dhe lakmi. Ish-ambasadori, në një material
diplomatik të dërguar në Washington, shkruante se bashkëshortja e
presidentit, Leila, dhe familja e saj e madhe nga ana e prindërve ka
shkaktuar prej kohe një inat shumë të madh te tunizianët. Kjo familje jo
vetëm që akuzohet për shumë afera korruptive, me të cilat asnjë
prokurori nuk merret dot, por nga ana tjetër ata janë shumë brutalë dhe
të pamëshirshëm në trajtimin e të tjerëve, nuk janë të shkolluar, vijnë
nga një status shoqëror shumë i ulët dhe janë të aftë vetëm të
konsumojnë pa ndërprerje para dhe pushtet.
Kjo familje ishte lehtësisht e urrejtshme nga populli, duke u
shndërruar kështu në objektin e mallkimeve të njerëzve. Fundjavën e
kaluar demonstratat në Hamamet, një resor turistik tunizian në Mesdhe,
patën në shënjestër të tyre vilat luksoze të qeveritarëve, të cilat
thuhet në fakt se u përkasin njerëzve më të afërt të klanit
presidencial. Që nga ajo ditë, njerëzit e kanë kthyer vëmendjen e tyre
te sulmi ndaj perandorisë së familjes së parë, bizneseve të saj duke
grabitur dhe shkatërruar dyqane, fabrika dhe supermarkete, që besohet se
janë në pronësinë e saj.
Vëllai i Leilas thuhet se i vetëm ka në pronësinë e tij një linjë
ajrore, disa hotele në bregdet, dy stacione radioje tuniziane dhe një
fabrikë makinash. Vazhdimisht investitorët e huaj e kanë pasur të
vështirë të vepronin në këtë vend pa i dhënë më parë një pjesë të mirë
të investimit të tyre si shpërblim në dorë familjes së parë dhe
veçanërisht bashkëshortes së presidentit. McDonald, zinxhiri i ushqimit
të shpejtë amerikan, për t’u vendosur në Tunizi nuk arriti që të merrte
lejen e ushtrimit të aktivitetit, për shkak se familja e parë nuk
ishte e kënaqur me sasinë e ryshfetit që ata e kishin taksur për një
gjë të tillë. Se sa nga pasuritë dhe pronat e saj do të vazhdojë që të
mbajë ish-familja e parë, kjo mbetet për t’u parë.
Vetë presidenti thuhet se ka një pasuri personale prej 5 miliardë
dollarësh. Të paktën deri dy ditë më parë. Por, sigurisht që ai si njeri
me nuhatje do t’i ketë marrë masat që një pjesë të mirë të parave ta
vendosë në vend të sigurt dhe të paprekshëm nga ndryshimi i pushteteve
apo i statusit të tij politik. Megjithatë, thuhet se pasuritë e tij do
t’i kthehen vendit, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre është përfituar
në rrugë të padrejtë.
Ndërsa dhëndri i presidentit, Materi, dhe e bija e tij 24-vjeçare
mendohet se janë vendosur në një suitë VIP, në një hotel parisian në të
cilën paguajnë 500 euro natën. Thuhet se truprojat e tyre janë vendosur
në hollin e hotelit për të ruajtur “zotërinjtë e çmuar”. Ata u
vendosën në fillim në ambasadën tuniziane në Paris, por kur para saj
nisën që të demonstronin bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në Paris,
ata menduan që të zhvendosen në një hotel të shtrenjtë.
Njerëzit e presidentit u vunë re menjëherë sepse përcjellja e tyre
ishte aq e madhe, sa ishte e pamundur që të mos binte në sy. Femrat janë
veshur të gjitha me veshje shumë të shtrenjta dhe duken si princesha,
ndërsa meshkujt mbajnë makina super të shtrenjta dhe gjithashtu janë të
veshur shik. Kjo i bëri që të binin në sy dhe të shkaktonin edhe në
Paris revoltën e tunizianëve që jetojnë aty.
Sidoqoftë, ata nuk do të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë, sepse
të paktën, sipas një zëdhënësi të qeverisë franceze, anëtarët e
ish-familjes së parë të Tunizisë nuk janë të mirëpritur në tokën
franceze dhe se duhet të largohen./Express/