Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka theksuar nevojën e shtimit të natalitetit në Bosnjë – Hercegovinë. Ai këtë e ka theksuar në një fjalim pranë studentëve në Universitetin e Sarajevës. Erdogan ka bërë thirrje që çdo familje në Bosnjë duhet së paku të ketë pesë fëmijë, me qëllim të rritjes së natalitetit.
“Themel i ekonomisë është njerëzimi. Nëse ka njerëz ka edhe përpjekje, kapital, prodhim dhe harxhime. Nëse nuk ka njerëz, atëherë s`ka asgjë nga ajo që përmenda. Suksesi i kësaj është një gjeneratë e re dinamike. Në vendet evropiane tanimë problem më i madh është popullimi, për shkak të rritjes së numrit të madh të moshave të vjetra. Andaj, Bosnja duhet të ndërmarrë diçka që të mos vijë në këtë situatë”, ka theksuar kryeministri turk, i cili dje ka përfunduar vizitën dyditore në Sarajevë.
Kryeministri Erdogan ka përsëritur faktin se askush nuk duhet të dyshoj mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë- Hercegovinës dhe se Turqia është e interesuar që ky vend të jetë pjesë e NATO-s.
(INA)