Skandali i abuzimeve seksuale me fëmijë nga ana e priftërinjve të krishterë mund të dëmtojë besimin edhe në besimet tjera, përveç në atë romano-katolike, theksoi të enjten një lider i lartë i myslimanëve të Evropës.
Mustafa Ceriq, lider shpirtëror i shumicës myslimane të Bosnjës dhe një figurë kyçe në dialogun myslimano-katolik, tha për Reuters se shpreson që Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë do të veprojë me vendosmëri për të zhdukur problemin e pedofilisë dhe të parandalojë dëmet e mëtutjeshme.
“Kisha po kalon nëpër kohëra vërtetë shumë të vështira dhe dëshiroj që Papa aktual të jetë në gjendje të sfidojë gjendjen në të cilën ndodhet”, theksoi myftiu i madh i Bosnjës në një intervistë të enjten. Ai megjithatë nuk pranoi të komentojë shumë për atë që quajti çështje e brendshme e Kishës. “Është kjo një fatkeqësi jo vetëm për Kishën Katolike por edhe për çdo lëvizje tjetër fetare, dhe dëmi për kredibilitetin moral të Kishës Katolike do të ketë pasoja edhe në kredibilitetin e komuniteteve të tjera fetare po ashtu”. /koha/