Gazeta britanike "The Guardian" shkroi se në vitin 2009, gjatë mbledhjeve të G20-s, ministri turk i Financave, Mehmet Shimshek është përgjuar nga shërbimi informativ anglez.
Sipas lajmit, përgjime nuk ka pasur qëllime politike apo ushtarake, por është dashur të mësohet këndvështrimi i Turqisë ndaj mbikëqyrjes dhe reformave financiare.
Këto pretendime shkaktuan reagime të fuqishme në Ankara.
"Ministria e Punëve të Jashtme po heton ngjarjen. Nëse pretendimet dalin të vërteta, atëherë do të dënohen fuqimisht dhe do të bëhen hapat e nevojshëm", deklaroi ministri Shimshek.
Ndërsa Ambasada e Britanisë së Madhe në Ankara u mjaftua duke thënë: "Nuk bëjmë komente për çështjet e shërbimit informativ."
Ndërkaq, Ankaraja zyrtare kërkoi sqarime nga Londra.
Reagimi i Turqisë dhe kërkesa e saj për zbardhjen e çështjes u përcoll si nëpërmjet ambasadorit turk në Londër Ynall Çevikoz ashtu edhe me anë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Ankara.
"Pretendimet mbi përgjimin janë shqetësuese. Në rast se pretendimet në fjalë janë sadopak të vërteta, atëherë ky përbën një skandal për Anglinë", theksohet në komunikatën e MPJ turke.
"Një veprim i tillë nga një vend aleat do të vlerësohet si i papranueshëm", paralajmëron Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë dhe shton se nga autoritetet britanike pritet që të paraqesin një shpjegim bindës. Në fund MPJ-ja turke nënvizon se në lidhje me këtë çështje janë bërë nismat e nevojshme diplomatike.