Zëvendës presidenti i Egjiptit, Omar Suleiman, ka tërhequr vërejtjen se nuk mund të lejohet që protestat në sheshin Tahrir në Kajro të vazhdojnë për një kohë të gjatë.
Ai theksoi se kriza duhet të përfundoj sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ky ishte një sinjal i shprehur me fjalë të ashpra, që tregon për mosdurimin e regjimit ndaj 16 ditëve të demonstratave masive.
Agjencia shtetërore e lajmeve, MENA, raportoi se Suleiman ka thënë se nuk do të ketë “fund të regjimit” dhe as largim të menjëhershëm të presidentit Hosni Mubarak.
Vlerësohet se të martën në sheshin Tahrir në Kajro u tubuan afro 250 mijë njerëz, që kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të presidentit Hosni Mubarak.
Zëvendës presidenti Omar Suleiman, i ka inicuar bisedimet me disa grupe opozitare, përfshirë edhe Vëllazërinë Myslimane, e cila në Egjipt është e ndaluar me ligj, por opozita thotë se ka pasur pak progres në këto takime deri tash./BS/