Dr. Kardavi uron egjiptianët për ditën e fitores, Revolta e parë rinore në botë
Kreu i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, dr. Jusuf Karadavi uroi popullin egjiptian për suksesin e revoltës mbarë popullore, duke e konsideruar si një ndër ditët e shënuara në historinë e vendit.
Ai propozoi që sheshi Tahrir, të merrte emrin e revoltës së 25 Janarit, pasi ajo përbën një institucion edukimi nga i cili njerëzit mësojnë shërbimin ndaj tjetrit dhe dashurinë për atdheun.
Gjatë një ndërhyrjeje në kanalin satelitor Alxhazira, menjëherë pas largimit të Mubarakut, shejh Karadavi tha:”Kjo është një nga ditët e Zotit, ditë në të cilën ne kemi shprehur mirënjohjen tonë karshi Krijuesit, i cili iu përgjigj lutjeve dhe realizoi ëndrrat tona.”
Ai shtoi:”Unë kam qenë i bindur se të rinjtë protestues, të pakënaqur me këtë regjim dhe që pranonin të sakrifikojnë për ndryshimin e madh, padyshim që do e çonin në vend amanetin e martirëve të rënë nga plumbat e atyre që nuk i frikësohen Krijuesit të tyre. Rruga e vetme për këta të rinj ishte fitorja dhe triumfi. Kjo është një ditë që i gëzon besimtarët. Ka kohë që ne egjiptianët nuk jemi gëzuar dhe nuk kemi përjetuara ndjenja të tilla si këto që përjetojmë sot. Zoti deshi që ti gëzojë sytë tanë me këtë triumf të popullit të Egjiptit, i cili është akuzuar për shumë kohë si popull i nënshtruar ndaj persekutimit dhe shtypjes. Me rastin e kësaj dite, unë uroj të gjithë popullin e Egjiptit, të gjithë vendet arabe dhe myslimane si dhe të gjithë njerëzit e lirë në mbarë botën.”
Në fund, ai tha:”Besoj se i gjithë i gjithë populli sot ka dalë nga
shtëpitë e tij, të gëzuar për fitoren e revoltës së tyre, revoltë e udhëhequr nga të gjithë shtresat, fukarenjtë dhe të pasurit, myslimanët dhe të krishterët. Të gjithë deklaronin “Jo diktatorit”.
Disa orë para dorëheqjes së Mubarakut, gjatë hytbes së xhuma, shejh Kardavi ishte betuar plot siguri se të rinjtë egjiptianë do e fitonin këtë betejë me regjimin, pasi kishin sakrifikuar dhe ishin treguar të vendosur. Zoti nuk e çon dëm mundin dhe përpjekjen e njeriut. Ai e ngarkoi me përgjegjësi vetë Mubarakut për gjakun e derdhur dhe martirët e rënë, duke thënë:”Husni Mubaraku mban përgjegjësi të plotë për martirët
e rënë gjatë protestave për shkak të mos largimin nga posti.”
Revolta e parë rinore në botë
Edhe pse nuk ishin mbushur as tre javë të plota që nga shpërthimi i revoltës, periudhë kjo shumë e shkurtër për një revoltë, suksesi i saj nuk ishte aspak i lehtë. Revolta e të rinjve egjiptianë u përball me një luftë të ashpër dhe aspak të moralshme nga palë të ndryshme. Por ishte vendosmëria e këtyre heronjve egjiptianë, ajo që e befasoi të gjithë Egjiptin. Në historinë e botës moderne, ajo është revolta e parë e udhëhequr nga të rinjtë e lirë, të cilët përfaqësonin shtresën e mesme të Egjiptit.
Barriera e frikës
Për të thyer këtë barrierë që e mbante popullin peng për dekada të
tëra, të rinjve iu desh të sakrifikonin jetët e tyre dhe të derdhin
gjakun. Miliona egjiptianëve që prisnin me padurim tu bashkoheshin, u
duhej hapur rruga dhe duhej thyer barriera e frikës. Postblloku dhe
barriera e frikës, ishte portretizuar nga regjimi diktator si mekanizmi i
hekurt i cili dëgjon hapat e milingonës. Që ditën e 28 janarit, ata
korrën një fitore të madhe ndaj regjimit, pasi këtë ditë sikur e përpiu
dheu të gjithë policinë e Egjiptit, e cila nuk u pa në asnjë qytet.
Barriera e huliganëve
Për të mbushur vakumin e krijuar nga mungesa e policisë, regjimi përdori huliganët dhe kriminelët, për të frikësuar dhe ushtruar dhunë mbi protestuesit. Ishte një armë shumë meskine me të cilën ky regjim luftonte të rinjtë e lirë. Edhe pse huliganët shkaktuan të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish, nuk arritën ta thyejnë vendosmërinë e të
rinjve. Duke parë dështimin edhe të kësaj metode mjerave dhe primitive,
regjimi përdori armën e bisedimeve dhe dialogut me forcat opozitare
tradicionale, të cilat në fakt u ishin bashkuar protestuesve.
Alternativa e bisedimeve
Për të garantuar një kalim paqësor të pushtetit, zv presidenti Umer Sulejman kërkoi bisedime dhe premtoi realizim të reformave të kërkuara nga të rinjtë, por jo të gjitha. Kjo u refuzua prerazi nga të rinjtë, të cilët vazhduan revoltën e tyre të vendosur për realizimin e objektivit “rrëzimin e regjimit diktator” .
Luftë mediatike dhe psikologjike
Menjëherë filluan mediat pro regjimit duke cituar se problemi i vendit ishin këta të rinj të irrituar dhe pa asnjë lider, të cilët nuk dinë çfarë kërkojnë. Shpesh herë, mediat transmetonin intervista me të rinj protestues, gjoja të penduar, të cilët shfaqeshin duke u qaravitur dhe duke i kërkuar falje regjimit për veprën e tyre të turpshme.
Megjithatë, të rinjtë protestues nuk u thyen. Atyre nuk u bënë përshtypje deklarata të tilla. Ajo që i kishte mbledhur në atë shesh ishte dëbimi i këtij regjimi diktator.
Luftë e ndytë
Një barrierë dhe postbllok tjetër shqetësues ishte dhe lufta e ndytë dhe aspak morale e mediave pro regjimit. Një nga aktorët komikë, mbështetës të regjimit, deklaronte se sheshi Tahrir është mbushur plot me drogaxhinj dhe maniakë seksualë. Suksesi i protestuesve ishte se e injoruan fare një luftë të tillë për ti thyer moralisht, duke vazhduar protestën e tyre dhe vendosmërinë gjer në arritjen e objektivit.
Këta të rinj, i kthyen popullit egjiptian dinjitetin dhe krenarinë e
munguar. Meqë të gjithë shtresat e vendit ishin të sinqertë në kërkesat dhe lutjet e tyre, Zoti ua pranoi dhe i mbështeti vetëm disa orë pas lutjes së premtes. Kështu, regjimi famëkeq i Mubarakut perëndoi bashkë me perëndimin e diellit të ditës së Premte, 11 Janar 2011. Zoti i mëshiroftë martirët e revoltës egjiptiane dhe i rehabilitoftë në xhenetet e Tij të përjetshme. /ardhmeriaonline/