Ditën e hënë, kryeministri turk Rexhep Erdogan, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, vizitoi shkollat Imam Hatib, nga bankat e të cilave ka dalë ai vetë. Këtë vit, këto shkolla i kanë hapur dyert e tyre pa pengesa administrative dhe ligjore, pasi qeveria e Erdogan ka bërë ndryshim rrënjësore në sistemin arsimor.
Gjatë fjalës së tij, Erdogan iu drejtua kundërshtarëve të vet me fjalët:”Nuk e kuptoj çfarë dëmi keni parë nga shkollat Imam Hatib dhe nga ata që janë ulur në bankat e këtyre shkollave?! Unë jam njëri prej atyre q137 kanë studiuar në këto shkolla, bashkë me ministrat e mi. Këtu nuk kanë mësuar veçse ata njerëz të cilët i kanë shërbyer dhe i shërbejnë kombit tonë, as terroristë dhe as ekstremistë. Përse i patët mbyllur këto shkolla më parë? Që sot, nuk do të ketë padrejtësi dhe frikë për këto djepe të dijes.”
Erdogan tha se ai ka ndërmend ta zbatojë gjer në fund sistemin e ri arsimor, i cili u dha të drejtat shkollave Imam Hatib, si dhe futi mësimin e Kuranit dhe të fesë islame si lëndë me zgjedhje.
Fotot e Erdoganit në vend të fotove të Ataturkut
Agjencia zyrtare e lajmeve Anadoll, ka publikuar foto të nxënësve dhe studenteve të veshura me hixhab në shkolla, si dhe të nxënësve që mbajnë në duar fotot e Erdoganit, të cilat u ishin shpërndarë të gjitha shkollave shtetërore, duke zëvendësuar fotot e themeluesit të Turqisë moderne Ataturkut. Më parë, viti i ri shkollor niste me fotot e Ataturkut që vareshin kudo dhe mbaheshin në duar nga nxënësit, por që këtë vit, ato janë zëvendësuar me fotot e Erdoganit.
Mediat kanë publikuar dhe një lajm rreth një ngjarje në Izmir, ku një pedagog në universitetin shtetëror, nuk ka lejuar një studente me hixhab të marrë pjesë në leksione. Madje, ai e ka fotografuar studenten dhe e ka ofenduar. Çështja e tij ka vajtur në gjykatë dhe kjo e fundit e ka dënuar me dy vite burg, me akuzën e diskriminimit dhe kufizimit të lirive.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm Dautoglu, shprehu interesin e tij personal për të mësuar gjuhën kurde, me qëllim që të miqësohet me të gjithë gjuhët që fliten në Turqi. Ai e konsideroi diversitetin e gjuhëve arabe, perse dhe turke që fliten në vend, një tregues të lidhjeve të forta të shoqërisë turke. /ardhmeriaonline/