Tunizianët
e kanë të vështirë të kapin thelbin e realitetit, pas protestave
masive që shkaktuan largimin e presidentit Zine al-Abidine Ben Ali, pas
23 vjetësh në drejtimin e vendit.
Sipas një reportazhi të agjencisë Reuters, fryma revolucionare që
miliona tunizianë e fituan papritmas është shndërruar në komike në shumë
aspekte të saj.
Punonjësit e hoteleve refuzojnë të bëjnë punën e tyre nëse nuk do të
marrin rritje pagash, punonjësit e telekomit paralajmëruan grevë nëse
kompania nuk do të privatizohet, ndërsa punonjësit e aeroportit
gjithashtu kanë mbajtur greva me arsye qesharake, të cilat kanë
turbulluar trafikun ajror në vend.
Nëpër shkolla, nxënësit refuzojnë të lejojnë zhvillimin e mësimit,
në shenjë proteste ndaj mësuesve, ndërsa këta të fundit refuzojnë të
japin mësim edhe atëherë kur mund ta bëjnë këtë, në shenjë proteste ndaj
Ministrisë së Arsimit, e cila është fajtore nga ana e saj, për faktin
që nxënësit janë më të paedukuarit e të gjithë brezave të fundit.
Njerëzit janë “të dehur” me shijen e lirisë, të cilën nuk e provonin
që prej më shumë se dy dekadash, por ndërkohë, qeveria e re tuniziane
duhet të përballet gjithmonë e më shumë me shqetësimin e rënies së
prodhimit në vend.
Shifrat treguan se në janar, eksportet e vendit ranë me 1,5% në
krahasim me janarin e një viti më parë dhe kjo, kryesisht për shkak të
grevave dhe rënies së rendimentit në punë.
Nëse situata do të vazhdojë, Tunizia papritmas mund të shohë se liria është më e rrezikshme se sa një regjim autoritar./Koha/