Muaji i Ramazanit po u sjell përfitime furrave të bukës në kryeqytet, sidomos atyre bukëpjekësve, që kanë rritur çmimin e samunëve.
Disa nga ta shesin më shumë se një mijë samunë për vetëm 20 minuta. Qytetarët që agjërojnë thonë se çmimi prej 20 centësh është i lartë kur krahasohet me çmimin e bukës që është 30 centë. Arsyetimet e furrtarëve janë të ndryshme.
Disa thonë se përdorin llojin e miellit më të shtrenjtë, kurse të tjerët që kanë furra të posaçme. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve, Muhamet Ferizi, i ka thënë KTV-së se bukëpjekësit po e shfrytëzojnë Muajin e Ramazanit për përfitime të tyre, ndërsa kryetari i Shoqatës së Furrtarëve, Halit Xoxa, ka thënë se as që dëshiron të diskutojë për këtë çështje. E, në një treg të lirë, disa furra vazhdojnë të mbajnë ende çmimin prej 15 centësh për një samun, të cilin e kishin para se të fillojë Ramazani.