Zakonisht, njeriu e humbet paqen shpirtërore, kur vepron gjëra në kundërshtim me parimet dhe bindjet e tij. Kur sjelljet e tua janë në drejtim të kundërt me bindjet, atëherë e humbet paqen shpirtërore.
Nëse beson se gënjeshtra është haram dhe e dënueshme, megjithatë vazhdon të gënjesh e mashtrosh, nuk mund të jesh në paqe me veten.
Nëse i ke hyrë dikujt në hak dhe e di që i ke bërë padrejtësi, edhe pse e di që padrejtësia është haram dhe e dënueshme, nuk mund të jetosh në paqe me veten.
Në çastin që e di se i ke bërë padrejtësi dikujt, dije se e ke humbur paqen shpirtërore.
Paqja nuk është diçka që të instalohet nga jashtë, ajo gjendet brenda në zemër.
Thotë Profeti a.s:
”Në trupin e njeriut gjendet një organ, nëse ai është në formë, i gjithë trupi do të jetë në formë dhe nëse ai prishet, i gjithë trupi prishet. Ky organ është zemra.”
Një femër që shoqërohet me një mashkull jashtë kurorës martesore, edhe pse e di që diçka e tillë nuk përkon me normat morale dhe fetare, nuk mund të jetojë në paqe me veten e saj.
Ajo gjithmonë do të jetojë në konflikt me veten, pa gjetur dot prehje. Një burrë që tradhton të shoqen, apo një grua që tradhton burrin, nuk mund të jetojnë në paqe dhe harmoni me veten.
Në çastin e parë që shkelin kurorën dhe besën që i kanë dhënë njëri-tjetrin, humbasin paqen shpirtërore.
Paqja është diçka e brendshme, që ka të bëjë me zemrën, dhuratë prej Zotit. Adhurimet, besimi, salavatet mbi Profetin a.s, leximi i Kuranit dhe ritet e ndryshme, e pasurojnë paqen.
Njeriu e humbet këtë paqe, në çastin kur vepron në kundërshtim me besimin e tij, fenë, moralin, bindjet, vlerat dhe edukatën familjare.
A je në paqe me veten tënde o vëlla dhe oj motër, apo keni shpallur luftën civile brenda botës tuaj shpirtërore?
Paqja me veten, është tabani i lumturisë së çdo njeriu, pavarësisht nga feja, kultura dhe bindjet e tij. Nëse një njeri nuk vjedh, nuk mashtron, nuk pranon ryshfet etj..., edhe pse nuk është mysliman, mund të jetojë në paqe me veten.
A përjeton paqe me veten tënde o vëlla dhe oj motër?
A ushqeheni me haram?
A mashtron dhe ua hedh njerëzve?
A u hyn në hak vartësve dhe personave me të cilët komunikon?
A i shkel me këmbë vlerat dhe moralet në të cilat beson?
A je në konflikt me veten?
Nëse përgjigja është “po”, dije se je njeri i sëmurë.
Të rikthesh paqen shpirtërore aq shumë të kërkuar, nuk është diçka e pamundur dhe e vështirë. Unë nuk do të tregohem idealist, duke të kërkuar gjëra të vështira. Zgjidh një subjekt të caktuar dhe riktheje paqen e munguar shpirtërore.
Unë po përdor termin rikthim, pasi shejtani i mallkuar, e ka zaptuar zemrën tënde, ka hedhur përtokë flamurin e paqes dhe ka instaluar atë të luftës me veten.
Ashtu siç kanë pushtuar hebrenjtë Palestinën, ashtu ka pushtuar dhe zaptuar shejtani zemrën tënde. Vallë sa shejtanë e kanë zaptuar zemrën tënde?
Rebelohu dhe çliroje zemrën tënde, ngrije lart flamurin e paqes në zemër.
Që sot, merr vendim se kurrë nuk do të dalësh kundër parimeve dhe vlerave në të cilat beson, kurrë nuk do të hysh në konflikt me veten, qoftë dhe për një gjë të vetme, një subjekt të vetëm.
Në çastin që do të triumfosh ndaj vetes dhe nefsit tënd, do të përjetosh gëzim e hare që kurrë nuk e ke përjetuar më parë.
Nuk ka gëzim dhe ekzaltim më të madh, sesa kur dëbon shejtanin nga zemra dhe ngre lart flamurin e bardhë, të paqes, me veten tënde.
Ajo që kërkohet është që secili prej nesh të bëjë çmos që të rikthejë qetësinë shpirtërore.
E lusim Zotin të na falë paqe dhe lumturi në jetët tona!
A lusim Zotin t’i mbushë familjet dhe shtëpitë tona me paqe!
-------------------------------------
Përgaditi dhe Punoi : Bujamin Salija