Përleshjet në Libi vazhdojnë, ndërkohë që pretendohet për pazarllëqe mes Kadafit dhe opozitarëve.
Burimet zyrtare i përgënjeshtruan lajmet, ndërkohë që opozitarët i kanë vendosur Kadafit 72 orë afat për të lënë detyrën.
Nga ana tjetër bëhet e ditur se një avion special i autoriteteve
zyrtare libiane shkoi në Egjipt duke kaluar përmes hapësirës ajrore të
Greqisë. Media greke pretendoi se Kadafi gjendej në këtë avion.
Një zyrtar grek që nuk pranoi të bënte publik emrin tha se një avion
që ishte ngritur nga Tripoli me destinacion Kajron kaloi sipër ishullit
të Kretës dhe u drejtua për nga Egjipti.
Zyrtari grek iu shmang sqarimeve mbi identitetin e personave që transportonte avioni.
Mësohet se avioni në fjalë është vënë në dispozicion të autoriteteve
të larta libiane. Kurse media greke pretendoi se në avion gjendet lideri
libian, Muamer Kadafi.
Nga ana tjetër vazhdon tensioni në Libi.
Përleshjet janë intensifikuar në qytetin Ras Lanuf.
Qyteti i pasur me naftës është bombarduar me tanke dhe avionë
luftarakë për të penguar përparimin e opozitarëve drejt kryeqytetit të
vendit. Në ngjarje janë plagosur 26 persona.
Kurse opozitarët që nuk disponojnë fuqi ajrore u munduan të sprapsin sulmet me anë të artilerisë kundërajrore.
Ndërsa forcat që përkrahin Kadafin nisën sulme të reja edhe kundër qytetit Zavije.
Njoftohet se forcat e komanduara nga njëri prej djemve të Kadafit ka
hyrë me tanke në qytet, kanë vendosur kontrollin në rrugët dhe
hekurudhat që hyjnë në qytet, por qendra e qytetit vazhdon të jetë ende
në duart e opozitarëve.
Një opozitar që arriti të lajmërojë me telefon agjencinë Reuteres të
lajmeve tha se qendra e qytetit është rrethuar me tanke, nëpër çatitë e
shtëpive janë vendosur snajper të cilët qëllojnë ata që dalin nga
shtëpitë, kurse kufomat vazhdojnë të qëndrojnë nëpër rrugë.
Rafineria më e madhe të vendit në Zavije ka ndaluar prodhimin për shkak të përleshjeve afër kompleksit.
Ndërkaq qarkullojnë lajme sikur Kadafi kërkon të negociojë me
opozitarët mbi largimin e tij nga detyra. Sipas pretendimeve Kadafi
kërkon garanci për mos ngrirjen e pasurisë.
Burimet zyrtare e hodhën poshtë me një gjuhë të prerë këtë lajm.
Kurse opozitarët deklaruan se nuk do të ketë proces hetimor dhe gjyqësor
për Kadafin për krimet që ka bërë, në qoftë se e lë detyrë deri ditën e
premte.
(TRT)