Për shumicën e aparateve, të cilat i ka krijuar Allahu, nuk themi se ky aparat është haram, e ky është hallall ...
Për shembull thika. Për të, nuk themi se është hallall e as se është haram, ngase kjo varet nga fakti se për çka e përdorim? Pra, çështja qëndron në atë, se për çfarë drejtimi ti e përdor. I tillë është edhe televizori. Nuk themi se është hallall, as haram, derisa të përcaktohet orientimi se për çka përdoret. Pra, përdorimi është ajo për të cilin themi hallall apo haram. Ky është mendimi i Sharaviut.
Kam pasur shumë polemika me mjaft dijetarë ndër vëllezërit tanë për çështjen e televizorit, sepse ata e ndalojnë në mënyrë kategorike dhe e konsiderojnë se është prej fitneve më të dëmshme, por unë gjithmonë u kam thënë se shoh nga këndi që më ka mësuar profesori (Shejhu) im dhe frymëzuesi i ideve të mia. Gjithmonë kundroj me syrin e mendjes e të logjikës dhe patjetër duhet definuar se për çka përdoret, e pastaj të gjykojmë. Pra, duhet shikuar nijetin, ashtu siç ka thënë Pejgamberi ynë fisnik ...
Nuk ka dyshim se veprat shpërblehen sipas qëllimit dhe se çdo njeri shpërblehet për atë që ka pasur për qëllim.
Televizori bëhet hallall atëherë kur e ke nijetin e sinqertë në përdorim. Po mos të ishte kështu, ne nuk do të kishim pasur mundësi të njiheshim me shumë arritje shkencore, të cilat flasin për vërtetësinë e imanit, siç janë programet e biologjisë, gjallesave, që paraqesin shembuj të ndryshëm të krijesave të llojllojshme në ekzistencë. Të gjitha këto janë krijesa të Allahut, të cilat dëshmojnë për fuqinë e Allahut.
Muhamed Muteveli Sharavi (Shqipëroi: Musli Verbani)
Marrë nga: Libri "Fetfat e Sharavit"