Një nxënës 19 vjeçar dje rreth orës 14 e ka humbur jetën, kurse një tjetër, është plagosur më lehtë. Ngjarja tragjike ka ndodhur pas një zënke që shpërtheu sot në oborrin e Shkollës së ndërtimtarisë në Shkup ‘Zdravko Cvetkovski’ që gjendet në Komunën e Karposhit. Jetën e ka humbur Muhamet Jashari, ndërsa i plagosur ka mbetur nxënësi Darko Ançev i lindur në vitin 1992. Incidenti ka shpërthyer rreth orës 14 kur një grup të rinjsh kanë sulmuar nxënësin Darko Ançev.
Sipas informatave të para, tanimë i ndjeri Muhamet Jashari ka ndërhyrë për t’i ndihmuar Ançevit, por grupi i ka sulmuar të dytë me shufra hekuri me ç’rast dy të rinjtë i kanë humbur ndjenjat. Menjëherë pas sulmit, dy të rinjtë i kanë transferuar fillimisht në Spitalin e Qytetit dhe prej aty ne Qendrën emergjente, por për fat të keq Muhamet Jashari, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Sot rreth orës 14:45 në Qendrën urgjente tek ne janë sjellë dy të rinj të moshës së njejtë, njëri në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, i intubuar i sjellë nga spitali i qytetit ‘8 Shtatori’ i cili ishte pavetëdije, pa puls dhe tension me bebëza të zgjeruara, kurse tjetri ishte me lëndime të lehta trupore. Te më i rëndi menjëherë u fillua me procedurat të reanimimit të cilat për fat të keq nuk dhanë përgjigje pozitive dhe në ora 15:30 u konstatua vdekja te ky i ri”, tha Rexhep Selmani, drejtor i Qendrës së Emergjencës.
Nga Ministria e Arsimit deklaruan se vrasësit do të kapen dhe nxirren para drejtësisë.
“Sot në shkollën e mesme të qytetit të Shkupit Zdravko Cvetkovski ndodhi një tragjedi e madhe. Një nxënës shqiptar tentoi ta ndihmojë shokun e tij maqedonas dhe e pësoi. Atë që ne sot e deklarojmë është se vrasësit do të kapen dhe do të nxirren para drejtësisë. Drejtësia do të jetë aq e pamëshirshme se edhe vrasësit që ishin të pamëshirshëm”, tha Nikolla Todorov, Ministër i Arsimit.
“Qyteti ka ndërmarrë disa masa më herët për mbrojtjen e shkollave, konkretisht në këtë shkollë është e angazhuar një agjenci sigurimi. Janë të vendosura kamera sigurimi. Sipas udhëzimit të sektorit për arsim pranë Qytetit të Shkupit, në të gjitha shkollat ka kujdestari të rregullta të arsimtarëve si në korridore ashtu edhe në oborre. Por për fat të keq edhe përskaj të gjitha masave ndodhi kjo tragjedi”, tha Koce Trajanovski, kryebashkiak i Shkupit.
Sipas drejtoreshës së shkollës, Dragica Kostadinovska sigurimi fizik i shkollës ka qenë në vend ngjarje megjithatë nuk ka arritur të parandalojë incidentin.
“Sigurimi fizik ka qenë në vendin e ngjarjes. Ka reaguar kur sulmuesit e kanë sulmuar Darkon, por gjithçka ka ndodhur aq shpejtë. Nuk dëshiroj të spekuloj por kanë qenë rreth 4 sulmues. Në momentin kur sigurimi ka ndërhyrë për ta mbrojtur Darkon, ka dalë Muhamedi dhe kur e ka parë ka dashur t[i ndihmojë shokut. Ai është sulmuar me një mjet të forte… më pas sulmuesit kanë ikur nga vendi I ngjarjes”, tha Dragica Kostadinovska, Drejtore e Shkollës Zdravko Cvetkovski.
Nga Ministria e Brendshme thonë se po hetojnë rastin dhe se janë vënë në kërkim për t’i kapur autorët e kësaj vepre makabre. Informatat e para flasin se sulmuesit kanë qenë të organizuar nga jashtë dhe se nuk bëhet fjalë për zënkë mes nxënësve. Muhamed Jashari ka lindur në vitin 1992 në fshatin Kondovë të Shkupit dhe ka qenë djali i vetëm në familje./Alsat/