Palestina po e fillon nga Stambolli fushatën për njohjen e saj si një shtet i pavarur.
Më datë 23 korrik do të nisë punimet Konferenca e Ambasadorëve, ku do
të takohen diplomatët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Palestinës
dhe 90 ambasadorët që ky vend ka me mision nëpër botë.
Hapja e konferencës do të bëhet bashkërisht nga Kryeministri turk,
Rexhep Tajip Erdoan dhe Kryetari i Shtetit të Palestinës, Mahmud Abas.
Në hapje të konferencës Erdoan do të mbajë një fjalim drejtuar ambasadorëve palestinezë.
Po ashtu në Stamboll do të vlerësohet edhe harta rrugore, që do të
ndiqet lidhur me aplikimin e Palestinës në Organizatën e Kombeve të
Bashkuara për njohjen e saj si shtet i pavarur.
Krahas liderit palestinez, Mahmud Abas, të pranishëm në këtë mbledhje
me nivel të lartë do të jenë edhe ministri i jashtëm, ai i brendshëm
dhe shefi i financave të Palestinës.
Ambasadori i Palestinës në Ankara, Nebil Maruf sqaroi se vendimin për
ta filluar nga Stambolli fushatën e njohjes së vendit të tyre si shtet
i pavarur, e morën si rrjedhojë e mbështetjes së plotë që Turqia i jep
kauzës palestineze.
Në përgjigje të një pyetjeje, Nebil Maruf nënvizoi se ky samit nuk
organizohet për partitë apo grupet politike, por për ambasadorët; kështu
që Hamasi nuk do të jetë i pranishëm në Konferencën e Ambasadorëve.
Mirëpo përpara konferencës në fjalë, në Stamboll po mbahet një
mbledhje që mundëson takimin e të gjitha grupeve palestineze. Flitet se
disa përfaqësues të pranishëm në këtë mbledhje, do të takohen me Mahmud
Abasin në Stamboll./trt/