Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, ka vizituar të
mërkurën objektin e djegur të shollës fillore të fshatit Merovë të
Komunës së Zhelinës. Ai është takuar me kryetarin e komunës dhe
drejtorin e shkollës, për të gjetur zgjidhje. Sipas Nezirit dhe Izairit,
zgjidhja e vetme për fillim e vitit shkollorë është mësimi në xhami dhe
në ambulancën e fshatit.
“Ne do marrim të gjitha masat tona dhe shkollën e Merovës do e fusim
te projektet prioritare që të intervenohet sa më shpejt të rregullohet
gjendja apo të rindërtohet objekti shkollor. Kryetari i Komunës na ofroi
një mundësi edhe neve edhe nxënësve të kësaj shkolle, që përkohësisht
të vendosen në objektin e ambulancës së fshatit dhe një pjesë në xhaminë
e fshatit”, tha Safet Neziri, zëvendësministër i Arsimit. “Një të
tretën e shumës totale prej 100 000 euro të ndërtimit, është në gjendje
ta mbulojë Komuna e Zhelinës”, është shprehur kryetari Fatmir Izairi,
ndërsa do të kërkohet ndihma edhe nga ambasadat dhe organizatat e
ndryshme që të ndërtohet kjo shkollë.
“Komuna për një të tretën e mjeteve është e gatshme që tani ti
ofrojë, rreth fondamentit të objektit, mureve e kështu me radhë. Pastaj
shpresoj se një intervenim do të ketë edhe nga ambasadat e huaja,
shoqatat që veprojnë apo asociacionet siç është USAID dhe ndonjë tjetër.
Besoj se do t’ia dalim dhe e kemi patjetër t’ia dalim”, tha Izairi.
Shkolla periferike Pashko Vasa e fshatit Merovë u dogj një ditë më parë,
ndërsa është ndërtuar në vitin 1977. Në të mësojnë 134 nxënës në 5
paralele, ndërsa pas fatkeqësisë shkolla ka mbetur pa arkivin dhe 21
kompjuterët dhe pajisjet dimërore.
(Koha)