Kryeqyteti Tripoli ka kaluar në duart e opozitarëve, repartet e gardës së Kadafit kanë lënë armët dhe janë dorëzuar.
Kontrolli i kryeqytetit Tripoli, i cili për dy ditë është bërë skenë e përleshjeve të dendura, tani ndodhet në duart e opozitarëve.
Në çdo vend, përveç Bab Al Aziziye, ku është strehuar Kadafi, valëvitet flamuri i regjimit të ri.
Regjimenti i gardës që duhet të mbronte liderin libian la armët dhe u dorëzua.
Televizioni Al Xhezira njoftoi kapjen e 2 djemve të Kadafit, Sejfulislam dhe Muhamed.
Përreth shtëpisë së Kadafit vazhdojnë ende përleshjet.
Presidenti amerikan, Barak Obama, i drejtoi Kadafit thirrjen, “dorëzohu tani, të mos derdhet më shumë gjak”.
Gjithashtu Obama njoftoi se do të kenë një bashkëpunim të afërt me qeverisjen e re gjatë procesit të rindërtimit të Libisë dhe vendosjes së demokracisë në këtë vend.
Opozitarët kanë dalë nëpër rrugë, kanë mbushur sheshin e gjelbër në qendër të Tripolit dhe festojnë duke hapur zjarr në ajër.
Manifestime të gëzueshme ka edhe në qytete të tjera të Libisë, si Bengazi, Misurata e Zavije.
“Regjimi i Kadafit u rrëzua”, ishte kjo deklarata që bëri aleanca e NATO-s.
“Procesi i tranzicionit demokratik në Libi duhet të realizohet menjëherë dhe në paqe, NATO është e gatshme të punoje me Këshillin e Tranzicionit Kombëtar”, – thuhet në vijim të deklaratës në fjalë.
Televizioni libian njoftoi se mbrëmë në Tripoli kanë gjetur vdekjen 1.300 persona nga të dyja palët për shkak të përleshjeve të dendura që përshinë kryeqytetin libian./trt/