Muftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. Fahrudin Ebibi, vizituan Qendrën Islame Kulturore Shqiptaro-Zvicerane “Xhamia e Bardhë” në Aarburg, Zvicër.
Q.I.K.Sh.Z. “Xhamia e bardhë” në Aarburg organizoi një iftar për bashkatdhetarët tanë në kantonin Aargau, ku ishin të ftuar figura eminente nga jeta publike si dhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve islame në vendlindje. Ky ishte iftari i parë i organizuar në objektin e ri, në të cilin morën pjesë mbi 500 mysafirë, duke përfshirë edhe gjininë femërore.
Programi filloi pas namazit të ikindisë, me recitimin e vargjeve kuranore nga lexuesi i mrekullueshëm i Kuranit, hfz. Xhemail Nuhiju. Në vazhdim, hapjen e programit e bëri imami i qendrës islame mr. Nehat Ismaili, i cili prezantoi dhe përshëndeti përfaqësuesit më të lartë të institucioneve islame nga vendlindja dhe njëherazi bëri një ekspoze të shkurtër në lidhje me mënyrën dhe formën e funksionimit të qendrës islame si dhe objektivat e saj për të ardhmen. Në vazhdën e saj përmendi edhe arritjen më të madhe, që ishte bashkimi i xhematit tjetër shqiptar nga xhamia e Trimbahut, të cilët në të ardhmen bashkërisht do të kryejnë shërbimet fetare në të njëjtën qendër. Veprim i cili ngjalli gëzim në zemrat e komunitetit shqiptar dhe u prit me kënaqësi edhe nga përfaqësuesit e institucioneve islame.
Pas kësaj, imami i qendrës islame, fjalën e rastin ia dha Muftiut të Kosovës, mr. Naim ef. Tërnavës, i cili përshëndeti të pranishmit dhe e përgëzoi imamin e qendrës mr. Nehat Ismailin për punën dhe kontributin e bërë gjatë organizimit të komunitetit shqiptar musliman dhe anëtarëve të xhamisë u dëshiroi suksese në të ardhmen. Në vazhdën e fjalimit të tij Muftiu i Kosovës, z. Tërnava u fokusua në ruajtjen dhe kultivimin e traditës shqiptare, ruajtjen e gjuhës, vlerave të familjes si dhe integrimin në shoqërinë zvicerane, dhe se duhet qenë mirënjohës për kontributin e qeverisë dhe popullit zviceran për gjithçka që kanë bërë për shqiptarët në tërësi, theksoi z.Tërnava. Muftiu ftoi komunitetin shqiptar në unitet, mençuri, urtësi dhe edukim të mirëfilltë.
Pas kësaj fjala e rastit iu dha Dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, mr. Fahredin Ebibit, i cili pasi që përshëndeti të pranishmit në emër të Reis Ulemasë së Republikës së Maqedonisë, haxhi Sulejman ef. Rexhepit, përuroi komunitetin dhe imamin e xhamisë për sukseset e arritura të cilët për katër vjet nga themelimi i qendrës arritën të blejnë objekt gjigant në Zvicër. Z. Ebibi, fjalimin e tij e fokusoi në historikun dhe funksionimin e medresesë, sfidat me të cilat ballafaqohen si dhe objektivat në të ardhmen. Dhe se funksionimi normal i medreseve çdoherë ka qenë nga kontributi i donatorëve të brendshëm dhe të diasporës shqiptare, ku ftoi sërish të investojnë në medrese dhe në Fakultetin e Shkencave Islame. Gjithashtu përmendi edhe numrin e të diplomuarve në fakultet të cilët janë kuadra profesionalë, që janë të
gatshëm të japin kontribut në çdo kohë dhe vend.
Nderin për të përshëndetur komunitetin e patën edhe mr. Ekrem Simnica, nëpunës i lartë në Bashkësinë Islame të Kosovës, pastaj edhe doc. dr. Naser Ramadani, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, pastaj mr. Mustafa Dauti, drejtor i organizatës “Hilal” në kuadër të Bashkësisë Islame në Maqedoni, si dhe këshilltari i lartë i ambasadorit të Maqedonisë në Bern, z. Ekrem Ebibi.
Para përmbylljes së programit, me zërat e tyre të ëmbël mr. Bekim
Alimi dhe dr. Abaz Jahja kënduan ilahi ku dukshëm ngallën një freski të
madhe. Gjithashtu edhe vëllezërit Xhemail dhe Sabahatin Nuhiju kënduan
ilahi të bukura, të cilët tanimë janë të pranishëm në çdo eveniment në
Zvicër.
Për të gjithë të pranishmit u shtrua iftar, ku xhemati i qendrës mbeti shumë i lumtur nga vizita dhe prezenca e përfaqësuesve më të lartë të institucioneve islame nga vendlindja.
Sektori për Informim i Q.I.K.Sh.Z “Xhamia e bardhë” Aarburg