Ambasadori
Volers dhe ministrja e Kulturës Kamçeska Milevska, nënshkruan
marrëveshje për grand me vlerë prej 94.700 dollarë amerikanë për ruajtje
dhe restaurim të punimeve të fasadës historike të Xhamisë së Larme në
Tetovë
Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Pol Volers, ka vizituar Xhaminë e
Larme në Tetovë, me ç’rast edhe me ministren e Kulturës së Republikës së
Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska Milevska, kanë nënshkruar një
marrëveshje për grand me vlerë prej 94.700 dollarë amerikanë për ruajtje
dhe restaurim të punimeve të fasadës historike të kësaj Xhamie. Dy
nënshkruesit kanë premtuar bashkë se ndihmat e këtilla do vazhdojnë edhe
në të ardhmen nga fondet e ambasadorëve.
“Xhamia e larme është trashëgimi e përbashkët kulturore, për këtë më
lejoni që të përshëndes iniciativën e ambasadës amerikane në Shkup, për
ndarjen e mjeteve për restaurimin e fasadës së jashtme të këtij objekti
të rëndësishëm. Grandi që sot e nënshkruajmë është i dhjeti me radhë dhe
paraqet një kurorëzim dhjetëvjeçar të bashkëpunimin të shkëlqyer”, tha
Kamçevska Milevska. Edhe Volers ndërkaq përkujtoi se ky është projekti i
dhjetë i këtij lloji në Maqedoni.
“Ndjej
kënaqësi që ndodhem këtu me ju në nënshkrimin e kësaj marrëveshje për
grand me ministren Kamçeska në mbështetjen e këtij projekti të
mrekullueshëm përmes Fondit të ambasadorit për mbrojtjen e trashëgimisë
kulturore. Projekti i këtij viti është ruajtja dhe restaurimi i punimeve
në fasadën dekorative të kësaj Xhamie të veçantë. Ky grand prej më
tepër se 94 mijë dollarë amerikanë, është projekti i dhjetë i këtij
lloji në Maqedoni apo i dyti për Tetovën”, tha ambasadori. Me këtë
grand, është planifikuar restaurimi i dekorit të jashtëm të mureve të
Xhamisë. Sipas ambasadorit amerikan, ruajtja e fasadës së kësaj xhamie
të mrekullueshme është projekti më i ri i një sërë projektesh të
realizuara përmes Fondit të ambasadorit për mbrojtje të trashëgimisë
kulturore. Grandi i këtij viti, në shumë prej 94 mijë dollarëve është
një nga ndihmat më të mëdha për këtë vit në Evropë. Në fund në shenjë
respekti nga BFI e Tetovës, ambasadorit dhe ministres iu ndanë disa
dhurata për ti rikujtuar në vizitën e tyre. Paraprakisht Uolers ka
realizuar një takim me kryetarin e komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, ku
temë bisedime ka qenë zhvillimi komunës. Në këtë drejtim Bexheti, ka
falënderuar ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme që jep SHBA dhe
ambasada amerikane në Shkup, për zhvillimin ekonomik e kulturor në
Komunën e Tetovës. Ndërsa Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, shfaqi
shpresë se bashkëpunimi me Komunën e Tetovës do të vazhdojë edhe në të
ardhmen dhe u shpreh se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të
vizitojë këtë komunë.