Izraelit i kërkohet të ndalojë ndërtimet në Jerusalemin lindor
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Izraelin për miratimin e ndërtimit të 1,100 shtëpive të reja në Jerusalemin lindor.
Ky hap i Izraelit vjen vetëm pak ditë pasi presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, ka dorëzuar kërkesën për shtetësinë palestineze në Kombet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian i bëri thirrje Izraelit të anulojë vendimin për ndërtime të reja, ndërkohë që Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se vendimi është “joproduktiv”.
“Ne besojmë se njoftimi i Qeverisë së Izraelit për ndërtimin e 1,100 shtëpive në Jerusalemin lindor, nuk u kontribuon përpjekjeve për rinisjen e negociatave të drejtpërdrejta mes palëve”, ka thënë Klinton.
Palestinezët thonë se nuk do të rinisin bisedimet derisa Izraeli të ndalojë plotësisht ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Izraeli ka thënë se ngrirja e vendbanimeve është parakusht i papranueshëm.