Për çdo ditë vazhdojnë të shkruhen kapitujt e Pranverës Arabe. Lëvizjet e masave bënë që të rrëzohen diktatorë shumëvjeçarë. Pas këtyre lëvizjeve masave qendrojnë persona të veçantë. Pesë prej tyre morën Çmimin Saharov.
Zëri i Jerzy Buzekut, Presidentit të Parlamentit Evropian është i përshtatur me atë që po thotë, me shpalljen e fituesve të Çmimit të sivjetëm Saharov.
"Parlamenti Evropian ia drejton çmimin e sivjetëm Saharov për lirinë e mendimit pesë përfaqësuesve të Pranverës Arabe: të ndierit Mohamedd Bouazizi nga Tunizia, Asmaa Mahfus nga Egjipti, Ahmed al Subair Ahmed al-Sanussi nga Libia dhe Rasan Saituneh dhe Ali Farsat nga Siria".
Mohamed Bouzizi, një tregtar perimesh nga Tunizia arriti të jetojë vetëm 26 vjet. Kur policia ia mori në dhjetor të vitit të kaluar mallrat dhe e keqtrajton, ai e lyen veten me benzinë para bashkisë dhe i vë vetes flakën. "Fund varfërisë! Fund papunësisë" thërret Bouazizi. Dy javë më vonë ai vdiq nga plagët e marra. Por djegia që i bëri ai vetes shkaktoi protesta në të gjithë Tunizinë, protesta që u përhapën në të gjithë botën arabe.
Ndërrojmë vendin: Më 18 janar të këtij viti, një grua e re në Kairo del para kamerës së kompjuterit dhe ia shpreh spektatorit pakënaqësinë e saj për rrethanat mbizotëruese në Egjipt: "Unë i them jo korrupsionit. Unë i them jo këtij regjimi". Asmaa Mahfouz është 26 vjeçe. Ajo e vendos videon në llogarinë e saj në Facebook me lutjen: Hajdeni në Sheshin Tahrir dhe bashkohuni me ne! Kërkoni të drejtat tuaja. Qindra mijëra vetë e ndoqën thirrjen e saj të ndierë për liri. Kërkesat e saj: drejtësi sociale, të drejta bazë, reforma demokratike. Sot, Asmaa Mahfouz ka 13.818 miq në internet.
Parlamenti Evropian nderoi edhe disidentin libian Ahmed al-Zubair Ahmed al-Sanusi. 77 vjeçari ishte i burgosuri politik më i moshuar i Libisë. 31 vjet kaloi ai në burgjet e regjimit të Gadafit, një periudhë të gjatë të këtyre viteve ai e kaloi si i burgosur i izoluar. Sot al-Sanusi përcakton sërish politikën e Libisë në kuadër të ekipit drejtues të kryengritësve. Në fundjavë, pas 42 vjetësh diktaturë dhe prej disa muajsh lufte civile Libia e shpalli veten të çliruar.
Në Siri, dy aktivistët e dekoruar presin më kot. Avokatja Razan Zaitouneh jeton prej muajsh në ilegalitet. Blogu i saj "Syrian Human Rights Information Link" informoi për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve siriane dhe për personat e zhdukur. Ajo kërkon që presidenti Bashar al-Assad të nxirret para Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Një gjuhë të ngjashme të mprehtë ka edhe karikaturisti sirian Ali Farzat. Me shtimin e protestave edhe skicat e tij u bënë edhe më direkte. Edhe vetë Assadi u bë pre e lapsit të artistit. Kjo u ndëshkua me ashpërsi. Mediet e huaja e treguan Farzatin në spital me plagë të rënda në kokë- dhe me duar të thyera. Shkaku: një karikaturë: Presidenti al-Assad qëndron me valixhe në buzë të rrugës, ngre gishtin e madh të dorës dhe i lutet Muamar al Gaddafit që ta marrë me vete.
Asmaa Mahfouz ka humbur shokë gjatë protestave. Çmimi nuk i takon vetëm asaj, i thotë ajo programit arabisht të Deutsche Welles: "Çmimi më nderon si një vajzë të guximshme. Por jo, shumë egjiptianë janë shumë më të guximshëm se unë. Atyre i takon dekorata. Unë jam krenare që jam një prej tyre dhe jetoj në këtë vend."