egimin në fjalë e rrëfen një nënë e moshuar, të cilën djali e kishte larguar nga shtëpia, duke e lënë në fatin e rrugës dhe duke mos menduar fare për të ardhmen dhe fatin e saj.
Nëna nuk kishte gjetur vend se ku të strehohej nga acari i madh i atij dimri, përveç strehimit tek Allahu Fuqiplotë, që i kishte mundësuar asaj të njihet me disa bamirës.
Nuk kishte njeri, përveç këtyre bamirësve, që do të përkujdesej për të ardhurat e saj, ushqimin dhe veshmbathje, të cilën e ndanin nga pasuria e tyre. Kjo nënë e ngratë rrëfen:
“E mbajta në barkun tim nëntë muaj, e linda vetëm disa muaj para se të vdiste babai i tij.
Unë tashmë isha bërë jo vetëm nënë për të, por edhe baba, ndaj dhe tërë kohën time ia kushtoja edukimit të djalit dhe të vajzës, e cila ishte 3 vite më e madhe.
Nga dashuria dhe simpatia që kisha për djalin, nuk ma bënte zemra t’ia prisja gjirin në moshën e foshnjërisë. Kur arriti moshën dyvjeçare, përsëri vazhdoja t’i jepja gji, derisa ai vetë e braktisi pas dy vitesh e gjashtë muajsh. Dashuria dhe dhembshuria ime ndaj tij kishin arritur pikën kulmore.
Pasi im bir mbushi të njëzetedytat, arrita ta martoja me një vajzë të cilën e doja shumë, njihej për moralin dhe sjelljet e saj të mira dhe vinte nga një familje e ndershme.
Pas kryerjes së ceremonisë martesore, ata jetuan pesë vjet së bashku. Gjatë kësaj periudhe, Allahu i gëzoi me një djalë dhe një vajzë.
Mirëpo djali im tregohej mendjemadh ndaj bashkëshortes së vet për faktin se ajo nuk ishte e shkolluar, ndaj dhe e shkurorëzoi dhe u martuar me një grua tjetër, e cila ishte e shkolluar dhe gjithashtu punonte si mësuese. Dy fëmijët, djali dhe vajza qëndruan me ne, ndaj dhe kujdesesha për edukimin dhe i doja shumë.
Përveç kësaj, gjeja kohë që të ndihmoja edhe gruan e tij të re në punët e shtëpisë për faktin se punonte si mësuese në shkollë; kur vinte nga puna, ajo dhe im bir e gjenin ushqimin të gatshëm.
Pas një periudhe kohore, vërejta se gruaja e djalit nuk i pëlqente gjellët që përgatitja për ta, me pretekstin se në meny nuk kishte gjellë të reja. Asaj gjithashtu nuk i pëlqente mënyra se si e pastroja unë shtëpinë dhe kërkoi nga bashkëshorti i saj që të sillte në shtëpi një shërbëtore, të cilës do t’ia jepte ajo pagën.
Në fakt, djali im ashtu veproi, solli shërbëtoren. Kur erdhi ajo, unë nuk kisha se çfarë të shërbeja më, ndaj dhe ndihesha një mysafire e rëndë në zemrën e resë sime. Më pas ajo filloi të ngacmonte tim bir me pretendimin se kinse po përzihesha në çështje që nuk duhet të më interesonin dhe nganjëherë tjetër se kinse unë po ndërhyja në punët e shërbëtores.
Akuzat e saj morën përmasa të mëdha, duke gënjyer se kinse unë po flisja për të fjalë që nuk i meritonte. Deri këtu erdhi puna, saqë djalit tim iu mbush zemra me inat dhe xhelozi ndaj meje; nuk më fliste dhe as nuk më përshëndeste.
Ç’është më e keqja, më transferuan nga dhoma ime, që ishte brenda vilës, në një dhomë jashtë saj; ky ishte vendi ku flinte shërbëtorja. Tashmë atë e kishin futur në dhomën time.
U ula dhe u përpoqa ta përmbaja veten dhe zemërimin tim. Ishte djali im! Çfarë të bëja? Për hir të djalit dhe vajzës së tij nga gruaja e parë, u mundova ta qetësoja veten.
Një ditë prej ditësh, ndërsa po kthehesha nga vizita e vajzës sime, e cila jetonte në një qytet tjetër, u afrova te dhoma ime. Aty pashë se gjërat e mia, shtratin dhe gjërat e tjera personale, i kishin nxjerr jashtë dhe atë dhomë e kishin shndërruar në depo. Pasi atypari nuk gjendej askush, trokita në derë që të pyesja se çfarë po ndodhte.
Derën e hapi gruaja e djalit, kurse pas saj qëndronte im bir. Ajo tha: “Kemi pasur nevojë për këtë dhomë dhe ja tani na u desh që ta shndërrojmë në depo për mallin dhe orenditë e tjera që nuk na hyjnë në punë. Do t’i fusim aty, kurse ti gjej një vend tjetër për të fjetur!”
Iu përgjigja asaj me këto fjalë: “E, ku të fle në këtë dimër të ftoftë?!”
Ajo u përgjigj: “Toka e Allahut është e gjerë, fli ku të duash, por kurrsesi në shtëpinë time!”
A mund ta besoni këtë?! Ndërsa ajo fliste këto fjalë, im bir qëndronte pas saj i qetë, nuk thoshte asnjë fjalë!
Dola nga shtëpia dhe nuk dija se kujt t’i drejtohesha. Ishte ora dhjetë e natës dhe ditët më të ftohta të dimrit.
Nuk ma lejonte ndërgjegjja që t’i bezdisja njerëzit në këto orë të vona të natës, mirëpo për raste të tilla emergjente ekzistojnë edhe dispozitat. Vajta te shtëpia e njërit prej fqinjëve, trokita në derë.
Pronari i shtëpisë hapi derën,u habit kur më pa në atë kohë të errët e të ftohtë. Më pas mes nesh pasoi biseda në vijim:
-Shpresojmë që të jeni mirë oj nënë. Lus Allahun të mos ketë ndodhur asgjë.
-Allahu të ruajttë, o fqinji im, mirëpo…
-Inshallah asgjë e keqe nuk ka ndodhur. Shpresoj që djali yt të mos jetë sëmurë apo ndokush tjetër nga fëmijët...
-Jo, assesi, asgjë nuk ka ndodhur, ata janë shëndoshë e mirë, falënderoj Allahun. Mirëpo, a më lejon që së pari të hyj te nëna juaj?
-Urdhëro, ejani, mirë se na keni ardhur.Është një nder për ne dhe orë e bereqetit, oj fqinja jonë.
Hyra në shtëpinë e fqinjës sime. U ula së bashku me të dhe kërkova nga ajo që të më lejonte të flija në konakun e saj deri në mëngjes, mirëpo kërkesa ime e çuditi fqinjën time.
Ajo e dinte shumë mirë se djali im ishte në shtëpi dhe unë banoja me të, mirëpo çfarë t’i thosha? Me çfarë ta arsyetoja kërkesën time?… Më në fund u ndjeva e obliguar që t’i rrëfeja atë që ndodhi në shtëpinë time, në mes meje, im biri dhe gruas së tij.
Nuk tha tjetër, vetëm se më uroi mirëseardhjen, përgatiti njërën prej dhomave dhe shtoi:- Kjo është dhoma juaj, shtëpia ime është shtëpia juaj. Unë do të jem në shërbimin tënd si motra jote, kurse burri im do t’ju shërbejë si vëllai juaj. Ndieje veten si në shtëpinë tënde dhe sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Çdo gjë që ju nevojitet, kërkojeni dhe ne do të jemi në shërbimin tuaj!
E falënderova fqinjën time për mirëpritjen dhe ngrohtësinë e saj ndaj meje dhe i thashë: “Çdo gjë do të jetë për një kohë të shkurtër, derisa të pendohet biri im dhe të kthehet në drejtësinë e tij apo derisa të vijë bija ime për të më marrë në shtëpinë e saj.”
Në mëngjes telefonova time bijë në qytetin në të cilin ajo banon me bashkëshortin e saj.
I tregova për rastin që kishte ndodhur, ndaj dhe kërkova që të vinte të më merrte dhe të më ofronte strehim në shtëpinë e saj, mirëpo kërkesa ime nuk u realizua, pasi ajo më tha se kur kisha qëndruar tek ajo vetëm dy ditë, burri i saj ishte nevrikosur shumë. Ç’do të ndodhte sikur të jetoja me ta për një periudhë më të gjatë? Ajo më pas e uli receptorin e telefonit dhe me të mbylli edhe derën e shpresës sime.
Ajo që shpresoja më parë ishte që unë të banoja me të për faktin se ajo ishte vajza ime dhe do kishte mundësi që të më ndihmonte tashmë kur jam lodhur dhe jam plakur. Më pas fillova të qaja aq shumë, saqë m’u shterën sytë së lotuari.
Këtë e pa edhe fqinja ime, e cila së bashku me mua ndante dhimbjen dhe lotët. Ajo më tha: -Mos ki merak oj motra ima, kjo është shtëpia juaj dhe ne jemi familja për ju!
Në të njëjtën lagje në të cilën jetonim, gjendej një burrë i pasur dhe bujar. Duart e të cilit ishin të shtrira për bamirësi dhe kur dëgjoi për hallin tim, kërkoi nga pronari i shtëpisë, në të cilën po jetoja, që të më dërgoj tek ai. Kur shkuam tek ai, më pyeti: A ke mundësi që të banosh vetë dhe t’i kryesh punët e shtëpisë? Ia ktheva; Po, kam mundësi.
Përgatiti njërën prej shtëpive të tij të shumta, me dhuroi çelësin e saj dhe tha: “Kjo është shtëpia juaj, çdo gjë që të nevojitet, mos hezito e as mos te vjen marre për ta kërkuar, Ne jemi të gatshëm –prej të madhit e deri te më i vogli- që t’ju shërbejmë juve.
Jetoja në këtë shtëpi të re, të gjithë ishin familja ime, përveç djalit tim. Të gjithë më vizitonin dhe i vizitoja; më sillnin çdo ushqim, pije dhe veshmbathje, përveç tim biri, Allahu e faltë dhe e drejtoftë në rrugën e drejtë!
Njëri prej fqinjëve sa herë që blinte bukë apo qumësht për shtëpinë e tij, nuk harronte që edhe mua të më sillte të njëjtat gjëra, i thosha atij: “Kjo mund të mbetet tek unë me ditë të tera derisa ta mbaroj, ndaj dhe kam frikë se mos po prishet.” Kërkoja prej tij që të më sillte bukë dhe qumësht çdo të pestën ditë.
Një ditë prej ditësh, u sëmura aq shumë, askush nuk dinte për gjendjen time shëndetësore, mbeta e mbyllur në shtëpi tri ditë, nuk shijoja ushqim dhe pije, përveç një ene, e cila ishte afër meje, nuk ushqehesha shumë nga frika se mos mbetesha pa ushqim dhe pije ditën e katërt. Kaluan tashmë katër ditë, njerëzit nuk me kishin parë të dilja nga shtëpia, kishin ardhur që të më vizitonin dhe të njiheshin rreth shkakut të mosdaljes sime nga shtëpia. Me të marrë lajmin e sëmundjes sime, më transferuan në spital.
Secili nga banorët e lagjes erdhën për vizitë, përveç djalit tim, i cili edhe në këto çaste të jetës sime nuk më vizitoi dhe as që pyeti për mua. Lus Allahun e Lartmadhërishëm që ta falë atë!
I nderuar vëlla, e nderuar motër, shikoni se sa e madhe ishte mëshira e nënës dhe ashpërsia e zemrës së të birit.
Shikoni se si lutej për të birin e saj, i lutej Krijuesit me gjithë zemër që ta udhëzoj dhe ta falë atë. Ishte kjo zemra e nënës, e cila dridhej nga dashuria dhe simpatia e madhe që kishte ndaj të birit. O Allah, na ndihmo që t’i respektojmë prindërit tanë dhe të sillemi me ta sa më mirë që është e mundur! Amin!