VAZHDOJNË KËRKESAT PËR FUTJEN E LËNDËS SË EDUKATËS FETARE NË SHKOLLA
Fondacioni për shoqëri të hapur dhe qendra “Gani Bobi” prezantuan projektin me temë “Interesi publik dhe religjioni”. Studimi bazohet në përgjigjet e rreth 900 personave të anketuar për religjionin, rrymat e reja, orientimin pro-perëndimor të vendit si dhe për çështjen e mbulesës së femrave dhe edukatës fetare në shkollat publike....
Postuar: 12:59:23 / 17.11.2011
Ndonëse rreth 60 për qind e të anketuarve nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi”, janë kundër risive në fushën e ushtrimit të religjionit dhe se janë për respektimin e islamit tradicional kosovar, 40 për qind e të anketuarve të tjerë mendojnë se aktualisht në Kosovë, po ngjanë një lloj fuqizimi i islamizmit radikal.
Por, promovimi i interpretimeve radikale të islamit nuk përkrahet nga Bashkësia Islame. Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Xhabir Hamiti thotë se BIK-u do t’i parandalojë grupet ekstremiste.
”Edhe sipas anketës, por edhe ne mendojmë se ka tendencë të rritjes së grupeve, por fatmirësisht këta janë një pjesë e vogël e mazhorancës islame në Kosovë dhe me një konsolidim më të mirë të Bashkësisë Islame sigurisht se këto tendenca dhe këto fryma do të parandalohen në të ardhmen”, tha Hamiti.
Opinionet e të anketuarave, manifestojnë një disponim të tolerancës ndërfetare në Kosovë. Socilolgu Anton Berishaj, thotë se edhe çfarëdo të jenë kërkesat nga shoqëria, ato duhet diskutuar në nivel shkencor.
“Politika është ajo që duhet ta menaxhoj situatën. Nuk po them absolutisht as që e shoh ndonjë indikacion që këtu ka eskaluar as që mund të eskalojë ndonjë konflikt, po së paku këto janë kërkesa që duhet të ulen, të bisedohen, të shtrohen, të analizohen siç ndodhi sot p.sh shkenca me u vu në shërbim të zbardhjes së këtyre problemeve”, theksoi Berishaj.
Të anketuarit kanë mendime të ndryshme rreth lejimit të shamisë në shkolla. Shumica mendojnë se mbajtja e shamisë në shkolla, duhet të lejohet me ligj.
(Bardha Shkreli) www.rtklive.com