Pas pajtimit mes liderëve të opozitës kryetarit të RDK-së Rufi Osmani dhe atij të PDSH-së Menduh Thaçi në Maqedoni ndodhi edhe një pajtim tjetër i madh . Kësaj here kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi u ka shtrirë dorën e pajtimit grupeve të cilat deri dje i quante radikale dhe vehabiste në Maqedoni. Takimi i pajtimit siç mëson Alsat M është zhvilluar javën e kaluar në selinë e BFI-së. Pajtimin e kanë konfirmuar sot zyrtar të lartë të këtij institucioni fetar . Në pyetjen se çka ishte kyçë që të ndodhë pajtimi me grupet të cilat deri dje i quanin radikale dhe vehabiste , Jakup Selimovski përfaqësues i BFI-së për Alsat M tha se BFI-ja do të jetë e hapur për të gjitha grupet që dëshirojnë të integrohen brenda sistemit të këtij institucioni.
“Brenda Republikës së Maqedonisë brenda komunitetit mysliman të fesë islame historikisht kanë ekzistua dhe kanë vepruar struktura të ndryshme fetare islame, sekte ose të ashtuquajtura tarikate, po dikush mund të thotë për ndonjë grup se është radikal ose jo-radikal. Në bazë analizave të cilat i ka bërë Bashkësia Islame në Republikën e Maqedonisë ato subjekte të cilat dëshirojnë të integrohen brenda sistemit fetar islam në Maqedoni brenda sistemit të BFI-së, Kushtetutën e Bashkësisë Islame ato do të jenë të pranueshëm”, tha Jakup Selimovski, përfaqësues i BFI-së.
Për ALSAT M është prononcuar edhe hoxhë Bekir Halimi njeriu i cili më së shumti është stigmatizuar dhe etiketuar nga BFI si udhëheqës i grupeve radikale dhe vehabiste në vend. Halimi vetë ka qenë pjesë e takimit ku ka ndodhur pajtimi dhe ja si ai e komenton këtë akt.
“Çdo ofrim I zgjidhjeve ose dorë e zgjatur, ose urë e ndërtuar, ne I përgjigjemi në formë pozitive. Edhe ky takim ka qenë në realizimin e këtij qëllimi, ne së bashku me shokët tanë hoxhallarë kemi pranuar këtë dorë të zgjatur për të vazhduar punën më tutje. Pse kjo, për shkak se vitet e fundit ne jemi dëshmitarë të sulmeve të njëpasnjëshme të dendura prej disa qarqeve islamo fobe kundrejt islamit dhe myslimanëve brenda popullit shqiptarë. Me këtë vepër ne I demaskojmë ato njerëz dhe nxjerrim në shesh mllefin e tyre që kanë kundër fesë islame si tërësi e jo kundrejt disa grupeve që ata parapëlqejnë ti quajnë radikale, ekstremiste ose vehabiste”, tha Bekir Halimi, hoxhë.
Ndryshe nuk është hera e parë kreu I BFI-së Sulejman Rexhepi të ndërmerr hap të këtillë të pajtimit ose pendimit nga ajo që kishte bërë. Në vitet e 90-ta kishte shpallur Jakup Selimovskit për renegat gjegjësisht (murted i dalë nga feja) pasi që në atë kohë ai kishte themeluar Bashkësinë Myslimane organizatë paralele të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni. Por pas një periudhe të shkurtë kohore Rexhepi dhe Selimovski I shtrinë dorën njëri tjetrit dhe nga atëherë vazhdojnë të jenë bashkë në këtë institucion fetar islam në Maqedoni. Një fjale arabe thotë : “Ish Rexheben tera axheben- Jeto me Rexhepin për të parë çudira ”. Alsat-M