Vitet e fundit të dekadës së parë, dhe fillimi i dekadës së dytë të shekullit XXI, u shënuan si vite të krizave në tregjet botërore dhe panikës nga rrëmuja politike dhe shoqërore, si rezultat i trandjes së tregjeve financiare botërore, lëkundjes së ekonomive të mëdha, humbjes së fuqisë së shumë valutave dhe mbylljes së shumë bankave dhe kompanive. E gjithë kjo shkaktoi që qeveritë e shteteve të ndryshme të marrin masa preventive dhe të bëjnë shkurtime të harxhimeve buxhetore, me qëllim që ta zbusin krizën e cila i rrezikonte seriozisht vendet e tyre.
Derisa të zotët e shtëpive në shtete të ndryshme mbanin llogari për çdo monedhë që e harxhojnë, gjegjësisht i bënin hesap gjërat nga disa herë, dhe i matnin shtatë herë para se t’i presin një herë, i pari i qeverisë së Maqedonisë, premieri Gruevski, diktoi një tempo tjetër dhe promovoi një filozofi të re menaxhimi, e cila sipas tij, është më e qëlluar në këto momente krize. Fjala është për rritjen e shpenzimeve nga buxheti i shtetit për projekte të ndryshme.
Me këtë, ai deshi t’u mbajë leksion vendeve të ndryshme me traditë demokratike dhe rezultate të dukshme ekonomike, se si duhet të menaxhohet me financat dhe projektet në kohën e krizave.
Ne, nuk e kemi për qëllim të merremi me teoritë ekonomike se si duhet menaxhuar buxhetet në kohë krizash, por duam të nënvizojmë atë se në çfarë projektesh u drejtuan mjetet e buxhtetit të këtij shteti që jeton me sadaka nga tjerët.
Në aspektin ekonomik mban ajo që në kohë krizash të derdhen mjete nga buxheti për projekte infrastrukturore, me qëllim që impakti në jetë në moshumbjen e vendeve të punës dhe mosrënien e intenzitetit të taksave në buxhet. Mirëpo, ajo që bëri qeveria e Maqedonisë, nuk ka të bëjë me këtë teori, por është thjeshtë një zbrazje e inateve, vuajtjeve dhe derteve, që po qe se nuk ke fuqi dhe mundësi t’i zbrazish ndryshe, atëherë, bile edhe me veprime provokuese, edhe pse e dëmton edhe veten. Tërë teorinë ekonomike të menaxhimit me mjetet buxhetore në situata krize, Gruevski e përktheu në përmendore, si një pikë më sublime kulturore dhe ekonomiko-financiare për maqedonasit. Për këtë qëllim, u derdhën mjete të shumta nga buxheti që të punohen përmendore dhe statuja, sa që sheshi i Shkupit duket se është një arenë gladiatorësh, hipodrom për garim kuajsh dhe manastir shenjtorësh, e mos harrojmë edhe odë vojvodash.
Kështu, u vu përmendorja e Lekës së Madh, Filipit, mbretit Samoil, Çentos, Nikolla Karevit etj.
Vlerësimet për këtë veprim ishim nga më të ndryshmet. Disa i cilësonin si rrugë për abuzim me mjete financiare, ashtu që shënohen shifra astronomike, të cilat nuk është e sigurtë se mbarojnë në tërësi në kontot e artistëve të Firencës. Disa i cilësonin si budallaki për inat. Disa tjerë si nsotalgji dhe vuajtje për diçka që u mohohet, gjegjësisht identitetin. Disa këto i cilësuan si tentim për ta vjedhur historinë, kulturën dhe identitetin e huaj, etj.
Të gjitha këto që u thanë, mbajnë, ngase problemi i emrit, që e ka Maqedonia me Greqinë, dhe mënyra se si menaxhohet ky problem nga ana e palës maqedone, të bën të mendosh se këto cilësime janë të drejta. Në fakt, tentohet që përmes bronzit, gipsit dhe granitit, të mbahet në jetë një histori, e cila, në fakt, u takon tjerëve, dhe nuk është e tyre. Kontestimi i identitetit dhe dëshira për t’i identifikuar, bën që të verbohesh dhe të paraqitesh ai që në fakt nuk je, vetëm që ta vërtetosh vetveten, edhe pse e din se rren dhe nuk je ai. Por, ja, inati, ndodh të jetë edhe më i ëmbël se mjalti. E kur inati bashkohet me naivitetin, atëherë ke rastin të shohish çudira.
Mirëpo, krahas nostalgjisë për identitet dhe emër, ngjarjet rreth dhe pas regjistrimit të ndërprerë, bëjnë të mendosh se përmendoret kanë patur edhe një dimenzion tjetër në mentalitetin e qeveritarëve sllavo-maqedon, atë të zëvendësimit të njerëzve, që ata si numra po i humbin dita-ditës.
Regjistrimi i shumëpërfolur para se të nisë, dhe i dështuar që në nisje, dhe i ndërprerë pasi që u nis, na shpalosi problemin edhe më të madh se ai i emri me Greqinë për palën sllavo-maqedone. Në fakt, regjistrimi u ndal me pretekst se ka patur mangësi dhe shkelje e mosrespektim të procedurave. Por, këto arsyetime nuk e bindën askënd, bile edhe vetë fansat e VMRO-DPMNE-së së Gruevskit, e lere më njerëzit tjerë.
Pak nga pak, po dalin gjërat në shesh. Regjistrimi nuk është ndalur për shkak të mosrespektimit të procedurave dhe shkeljeve, por, për shkak të frikës së palës sllavo-maqedone, bazuar në raporte të aktivistëve të vetë në teren, se numri i maqedonëve ka pësuar rënie drastike, ndërkaq, nga ana tjetër, numri i shqiptarëve ka shënuar ngritje. Ngritjen e numrit të shqiptarëve e kanë paralajmëruar edhe studimet e ndryshme demografike, mirëpo është mbajtur fshehur rënia e numrit të palës maqedone. Kjo rënie ka ardhur për disa shkaqe:për shkak të natalitetit të ulët, marrjes së pasaportave bullgare dhe regjistrimit si bullgar, regjistrimit të pjestarëve të fesë islame që e flasin gjuhën maqedone si torbeshë, e jo maqedonas musliman, siç ka qenë deri më tash, dhe ngushtimi i mundësive për manipulim me romët, në aspektin e deklarimit për etninë.
Këtë dyshim e shpalosi edhe vetë gazeta maqedonase Dnevnik, e cila publikoi para pak ditësh se regjistrimi është ndërprerë për shkak se numri i maqedonve ka rënë, e që sipas tyre, kjo kap shifrën 13 mijë vetë, ndërkaq numri i shqiptarëve është rritur për 31 mijë vetë. Poashtu, sipas kësaj gazete, ka pësuar rënie edhe numri i krishterëve në krahasim me numrin e muslimanëve.
Kjo tregon se Gruevski dhe pala sllave kanë më shumë derte dhe sekëlldi, e jo vetëm një. Ata janë në siklet për shumë gjëra, e pa dyshim se rënia e numrit, e cila ka qenë realitet edhe më herët, por është mbajtur sekret nga prononcimet publike, e që tash më plasi edhe në publik, ia ka vënë kapakun. Në fakt, si duket, duhet të bisedohet për pakicë sllavo-maqedone, e jo për pakica tjera, siç këmbëngulin maqedonasit. Tash, me këtë, maqedonasit jo vetëm që janë ardhacakë nga Karpatet e Rusisë në këtë troll arbnor të Ballkanit, por janë edhe pakicë.
Pala maqedonase ka patur informata edhe më herët se si qëndron puna me numrin e tyre, për atë edhe iu frikua regjistrimit me mbikqyrje të huaj, ngase zvogloheshin gjasat e manipulimit. Mirëpo, u mundua që vetë mos e marr mbi vete barën e dështimin e regjistrimit, e të del në mejdan sikleti i tyre, por deshi që dështimi t’u mveshet si çdo herë shqiptarëve. Pasi që kjo nuk u arrit, atëherë ishte e detyrueshme që ta bën një gjë të tillë, ngase pasojat do të ishin të mëdha, duke i përfshirë këtu edhe pasojat morale.
Në dritë të kësaj që u tha, mund të konstatohet se Gruevski që herët ka kërkuar ilaç për zjarrin që ia ka kallur mushkëritë dhe ia ka tharrë pështymën, rënien e numrit të sllavo-maqedonve, e pasi këtë nuk mund ta bëjë me njerëz me frymë, gjeti satisfaksion në statuja të vdekura.
Nëse i thonë se paskeni mbetur pak, ai tash e ka përgjigjen gati:Po, ama shiqo sa i madh është Aleksandri, 30 metra. Ne kemi nji, ama të madh, nuk na duhen shumë”.
Po, por përmendoret nuk i zëvendësojnë njerëzit, edhe nëse të identifikojnë ty dhe historinë tënde, e lere më nëse janë të vjedhur. Mendoi/komentoi Mr. Bashkim Aliu