NJË HISTORIK I SHKURTËR RRETH TË DREJTAVE TË GRUAS NË HISTORI
Gjatë historisë, të drejtat e gruas ishin të mohuara në thelb. Para islamit, gratë trajtoheshin si skllave, pa asnjë të drejtë morale e materiale. Mirëqenia e tyre personale konsiderohej e parëndësishme. Gjatë luftërave që zhvilloheshin, gratë trajtoheshin si pjesë e çmimit. Ato nuk konsideroheshin palë në një kontratë martese. Sa për të drejtën e trashëgimisë, as që diskutohej.
Më e keqja e të gjitha këtyre të këqijave, që do të mbetet në histori të njerëzimit, ishte vrasja e fëmijëve vajza. Argument i kësaj vjen ajeti Kur`anor “Dhe kur pyeten ato vajza të varrosura të gjalla për çfarë mëkati janë mbytur”(ET-TEKVIR 81:8-9)
Mohimi i të drejtës së gruas vazhdoi nëpër shekuj, vende dhe shoqëri të ndryshme. Për gratë flitej në ata kapituj ku përmendeshin grupet e rrezikuara: komunitetet pakicë, njerëzit me aftësi të kufizuara, fëmijët bonjakë etj, të cilët ishin të diskriminuar, duke mos ua njohur të drejtat elementare për jetë.
Nëpër botë vërshonte diskriminimi, luftërat, përplasjet në mes të shoqërive, duke mohuar të gjitha të drejtat e veçmas e drejta e gruas për t`u quajtur njeri. Kjo e drejtë nuk ekzistonte për gruan. I vetmi kriter që i rregullonte këto marrëdhënie ishte dhuna.
U bënë shumë përpjekje nga ana e grave për një të drejtë të vetme, të drejtë elementare, që ishte e drejta për të jetuar e lirë si qenie njerëzore.
Revolucioni Borgjez Francez ishte fillimi i këtyre përpjekjeve. Lëvizjet e para fillojnë në këtë epokë të zhvillimit dhe ndryshimit të të drejtave civile dhe politike. Organizatorja kryesore e kësaj lëvizje ishte Olympe de Gouges, e cila ka shkruar Deklaratën për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër, në vitin 1798. Ne nenin 1 të kësaj deklarate shkruan: ”Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta me mashkullin në çdo aspekt”.
Edhe ne Britani të Madhe zhvilloheshin të njëjtat ngjarje. Tek më 1918, grave iu dhanë disa të drejta, ashtu siç ishte edhe në Amerikë, ku diskriminimi i grave kishte arritur kulmin, duke i poshtëruar jo vetëm gratë e shtyra në moshë, por edhe fëmijët vajza, ashtu siç ishte në kohën paraislame.
Në këto rrethana të krijuara, në vitin 1979 miratohet Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit të grave (CEDAW). Kjo Konventë në vete përmban të drejta civile, politike, ekonomike e kulturore.
Konventa njohu gratë si qenie të plota njerëzore, që ishte shumë e rëndësishme, sepse deri atëherë ato njiheshin si diçka që nuk i përkisnin racës njerëzore. Ashtu vazhdoi edhe pas shumë shekujve dhe vazhdon edhe sot, fatkeqësisht. Pas gjitha këtyre përpjekjeve, u hartuan shumë konventa e deklarata të ndryshme lidhur me të drejtat e grave. Por, të gjitha ishin vetëm letra, sepse nuk zbatoheshin në jetë.
MBROJTJA E GRUAS PËRMES ISLAMIT
Aty ku nuk u shkrua programi i bazuar në kushtetutën që e hartoi Allahu xh.sh, aty mbeti gjendja e njëjtë edhe sot. Para 1400 viteve, Kur`ani vendosi bazat e lirisë dhe të drejtat e njeriut e, edhe të gruas, duke sfiduar çdo përpjekje të njeriut, që për njeriun të jetë ujk.
Të drejtat, grave ua dha Allahu, i cili e di çfarë të drejta janë të dobishme për natyrën femërore. Ai krijoi njerëzit prej një mashkulli dhe një femre, të cilët ishin krijuar nga një nefs (shpirt) i vetëm.
Bosht i besimit islam është mëvetësia e Allahut xh.sh. Të mohosh këtë mëvetësi, është të angazhohesh në shirk, që është t`i bësh shok Allahut xh.sh. një mëkat i pafalshëm në islam.
Para Allahut asnjëri nuk është më i favorizuar se tjetri, përveç në bazë të devotshmërisë.
Muhamedi a.s. thotë: ”Njerëzit janë të barabartë siç janë dhëmbët e një krehri.
Shejtani nuk e kuptoi këtë fakt themelor. Zoti e krijoi Ademin dhe e urdhëroi Iblisin t`i përulet Ademit. Por, ai refuzoi për një arsye shumë të thjeshtë: Si mund t`i përulet Ademit, kur ai veten e konsideronte më të mirë se ai. Arroganca, mendjemadhësia e Iblisit, tek Allahu shkaktoi zemërim dhe duke shkelur parimin bazë të islamit, përkatësisht mëvetësinë e Allahut dhe superioritetin e Tij, ra në shirk.
Juristi mesjetar El-Gazali, vjen në përfundim se ai i cili është i pasur dhe që mendon se është më i mirë se një i varfër, apo një i bardhë që mendon se është më i mirë se një i zi, apo një burrë që mendon se është më i mirë se një grua, ai është i sëmurë prej logjikës iblisiane.
Kur’ani qartëson preferencat hyjnore njerëzve në lidhjet mes vete. Atë që u munduan t’ua japin grave gjatë periudhave të ndryshme kohore, Kur’ani e qartësoi në brendinë e tij të mrekullueshme. Gratë pra, gjithnjë sipas Kur’anit, kanë të drejta të barabarta me burrat. Në grupin e këtyre të drejtave hyjnë: e drejta për lutjen në xhami, kryerja e haxhit, interpretimi i Kur’anit, angazhimi në jurisprudencë dhe madje dhënia fetva, e drejta e arsimimit, e punësimit, e bartjes së detyrave publike, transaksionet dhe marrëdhëniet me të tjerët, e drejta e trashëgimisë etj.
Sa i përket trashëgimisë, ajo është një çështje shumë delikate edhe për ne në trojet shqiptare. Në të shumtën e rasteve, femrat janë të përjashtuara nga trashëgimia, për arsye shumë të ulëta. E drejta e trashëgimisë nuk duhet mohuar nga askush, sepse kjo është e mbrojtur nga ligjet e Allahut, të hartuara në Kushtetutën e Tij. Në ajetin 7 sur. Nisa Allahu thotë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), e edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon një pjesë e caktuar (nga Zoti). Pra, mohimi i kësaj të drejte, është mohim i asaj që ka shpallur Allahu në Kur’an.
Një e drejtë tjetër që duhet të theksohet, është kontrata e martesës, e cila është e drejtë e femrës për të lidhur apo për të mos lidhur një kontratë të tillë. Në jurisprudencën islame, kontrata e martesës nuk konsiderohet kontratë shërbimi. Përkundrazi, ajo konsiderohet kontratë për shoqërinë. Për këtë, gruaja nuk është e detyruar të gatuaj, t’i jap gji fëmijës së vet, të pastrojë ose t’i shërbejë burrit të saj. Në fakt, burri i saj është i detyruar t’i sjell ushqimin asaj të përgatitur.
Këto fakte ndjekin përcaktimin Kur’anor të marrëdhënieve bashkëshortore, jo si çështje dominimi, por si çështje dashurie, mëshire, qetësie e paqeje në mes tyre.
Përveç kësaj, gruaja muslimane ka të drejtë financimi në mënyrë të pavarur. Në pronën e saj nuk kanë të drejta as burri, as prindërit. Për këtë, Kur’ani angazhohet në veprime afirmative në emër të grave, për t’i ndihmuar ato në grumbullimin e pasurisë në një botë patriarkale. P.sh. gruaja nuk është e detyruar të shpenzojë pasurinë e vet as për veten e saj, por ky detyrim bie mbi burrin. Nëse bëhet me dëshirën e saj, ky detyrim mund të ndryshohet.
Përderisa gruaja nuk ka nevojë të harxhojë para për mirëmbajtje, ajo në anën tjetër mund të deponojë para përmes disa metodave: duke punuar si e martuar, prej trashëgimisë etj. Shpeshherë është diskutuar rreth asaj nëse femra mund të merr gjysmën e pasurisë, sikurse edhe mashkulli. Kjo është e gabueshme. Ajetet e Kur’anit flasin në kontest për vëllezërit dhe motrat, si dhe dhënien e pasurisë motrës, nga ajo që trashëgohet nga vëllai.
Mjegullimi i zgjidhjes racionale mes asaj që motrës i jepet nga gjysma e asaj që trashëgon vëllai, është rezultat i një të vështruari të izoluar, i cili në fakt bëhet atëherë kur harrohet të shihet Kur’ani si një sistem financiar i tërësishëm.
Vështrimi i këtij sistemi si tërësi, jep mundësinë të kuptohet se motrës i jepet vetëm ajo çka e meriton, pra ajo trashëgon të ardhurat e saj neto, ndërsa pjesa e vëllait është e ardhur bruto që ai përdor për të përmbushur detyrimet ndaj familjes se tij. Në këtë kontest, gruaja nuk ka asnjë detyrim, pa marrë parasysh statusin e saj financiar.
Edhe të drejtat civile të gruas sipas islamit përcaktohen në mënyrë shumë të përpiktë. Gruas muslimane nuk i detyrohet të ndryshojë mbiemrin e vajzërisë me atë të martesës. Zgjedhja e saj duhet të jetë e lirë në realizimin e kërkesave të saj të ligjshme.
Në islam pra, të drejtat dhe përgjegjësitë e gruas janë të barabarta me ato të burrave. Por, ato nuk janë domosdoshmërisht të njëjta. Për këtë është argumenti se gratë dhe burrat fizikisht janë shumë të ndryshëm mes vete, por të barabartë ne mes vete në mënyra të tjera shumë të rëndësishme.
Gruaja, në kohërat moderne, pozitën e saj të tanishme e arriti me forcë, me sakrificë e luftëra, jo përmes proceseve natyrore, të cilat i ka përcaktuar Krijuesi ynë. Gratë myslimane kanë epërsi në këtë drejtim ndaj homologeve të tyre perëndimore. Ato përfituan nga islami atë që e meritojnë ta kenë. Përfituan sigurinë e plotë për mbrojtje të dinjitetit të tyre, autoritetit dhe të qenit objekt tregtie, ashtu siç janë gratë që nuk kanë vulën e paqes-islamit në zemrat e tyre.
Rruga e islamit është rrugë e sigurt, është shembull i shkëlqyer për të gjithë njerëzimin. Çështja e përmirësimit të jetës së saj si qenie e përsosur e Allahut xh.sh si grua, si nënë, si edukatore e fëmijëve të saj, si udhëheqëse e dinjitetshme, si mbrojtëse e vlerave të moralit, të cilat vlera mbrojnë shoqërinë njerëzore, mbrojnë shtetin, por edhe vet gruan, janë dëshmia më e fortë se nuk ka frikë për atë popull ku gruaja i gëzon vlerat e tilla.
Shoqëria njerëzore do ec përpara përmes vlerave të moralit, veçanërisht duke mbrojtur femrën.
Edukimi i një fëmije djalë, është edukim i një individi, edukimi i një fëmije vajzë, është edukim i një brezi, gjenerate. (Hadith)
Duhet të krenohemi pra që i takojmë besimit islam, besimit më të drejtë, i cili për të gjitha krijesat ndan drejtësi.
Xhevahire Abazi studente e fakultetit juridik.