Shkup, 8 shkurt - Vetëm gjatë vitit të kaluar në Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale janë paraqitur 127 raste për keqpërdorimin e të dhënave personale në rrjetet sociale. Shumica e tyre janë ankuar për krijimin e profileve të rrejshme në rrjetin social "Facebook", vjedhjen e identitet, keqpërdorimi i emrave përdorues dhe fjalëkalimeve në adresat elektronike, publikimin e fotografive dhe video-klipeve pa pëlqimin e personave në fjalë. Zëdhënësja e DMDHP-së, Elena Stojanovska, thotë se gati për çdo ditë në këtë institucion ka paraqitje për keqpërdorime të ndryshme të bëra në internet.
"Ka raste të paraqitura të fëmijëve që janë 'viktima' të internetit dhe keqpërdorimit të tij, mirëpo ka edhe raste kur vet fëmijët keqpërdorimin të dhëna tjera personale. Më shpesh bëhet fjalë për hapjen e profileve të rrejshme në ndonjë portal të internetit ose hapjen e ndonjë grupe, ku postohen komente jo të mira dhe me përmbajtje ofenduese", thotë Stojanovska.
Në raste kur keqpërdorimi është bërë në ndonjë prej rrjeteve jashtë Maqedonisë, Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale intervenon dhe përmes administratorëve të kësaj faqe largohet përmbajtja. Stojanovska sqaron se kur keqpërdorimi bëhet në në ueb faqet e regjistruara brenda Maqedonisë, atëherë bëhet inspektim dhe kërkohet mënjanimi i të dhenve personale nga baza e të dhënave të publikuara. Nga DMDHP përkujtojnë se shfrytëzuesit e internetit duhet gjithnjë t'i lexojnë politikat e privatësisë dhe të kenë kujdes se çka publikojnë në internet, veçanërisht në rrjetet sociale. Drejtoria po bën përpjekje edhe për ngritjen e vetëdijes publike te qytetarët por edhe grupe të veçanta, rreth përdorimit të internetit. "Deri më tani Drejtoria ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme lidhur me këtë çështje. Në pjesën më të madhe, interneti është vend që ofron informacione të panumërta, edukim dhe përmbajte zbavitëse, si për fëmijët ashtu edhe për tinejxherët, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjithë rreziqet që vijnë nga kjo botë. Drejtoria jonë këshillon fëmijë, prindër dhe arsimtarë, se si në mënyrë të drejtë të bëhet përdorimi i internetit", thekson Stojanovska.
Ndërkaq, psikologët përmendin përparësitë dhe mangësitë rreth përdorimit të internetit, sidomos tek fëmijët. "Te fëmijët zakonisht informacionet e reja, pasurimi i njohurive, është ai aspekti pozitiv i përdorimit të internetit. Ndërsa, si ndikim negativ që interneti lë te fëmijët është përballja me informacionet e pa vërteta, deziformacionet, falsifikimin, keqpërdorimin e tyre, etj. Ata gjithashtu përballen me përmbajte të cilat janë agresive, informacione jo adekuate për moshën e tyre, ndërkohë si ndikim negativ është edhe varësia. Pikërisht problemi kryesor qëndron në atë që interneti të mos shndërrohet në varësi, sepse nga kjo pastaj vijnë edhe pasoja tjera negative te fëmijët", thotë psikologu Lulzim Murtezani. Sipas tij, ka raste nga më të ndryshmet të keqpërdorimit të internetit, duke filluar nga keqpërdorimi i informacioneve personale, njohja e identitetit të tij para një publiku shumë të gjerë, pedofilia, mashtrimi i fëmijëve për interesa nga më të ndryshmet dhe shumë të tjera. Për të tejkaluar këtë problem, psikologu Murtezani rekomandon që prindërit të ndajnë një kohë të caktuar për të kaluar se bashku me fëmijët, për t'u sqaruar atyre se çka është reale dhe çka jo. "Nga ana tjetër, edhe shteti duhet të ketë strategji të veçantë për mbrojtje të fëmijëve nga interneti dhe edukimin e tyre për këtë dukuri", thotë psikologu Lulzim Murtezani. Ndryshe, në organizim të Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale po realizohet projekti i financuar nga BE-ja dhe Majkrosoft Maqedoni, nën moton "Kliko sigurt". (m.i./koha)