Prishtinë, 10.02.2012(17.30)
Xhamia e shumëkërkuar është vendosur të ndërtohet në parkingun e PTK, vendim ky i marrë nga të premten nga Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Prishtinës.
Në një komunikatë të lëshuar nga Komuna e Prishtinës është bërë e ditur se ndërtimin e xhamisë përfshin pjesët e ngastrave kadastrale nr. 7437/1, 7571, fl. pos. nr. 4137, me një sipërfaqe prej 8100 m2, vendi i quajtur “Blloku III i Ndërtesave”.
Kosovapress ka tentuar të kontaktojë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Dihet që para disa muajve kur është përmendur ky vend si lokacion i mundshëm, BIK-u pati kundërshtuar, duke thënë se nuk i plotëson kërkesat e tyre.
Naim Tërnava pati thënë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët me kreun e Prishtinës, Isa Mustafa që t’u lejojnë vendin e kërkuar nga ta.
Lokacioni i dëshiruar për BIK-un është hapësira përballë Institutit Albanologjik, konkretisht te çerdhja e fëmijëve “Gëzimi ynë”.
Ndërsa, Isa Mustafa disa herë ka deklaruar se parkingu i PTK-së është mundësi e mirë, ngase sipas tij nuk do ndikonte në zhvendosjen e institucioneve arsimore, ashtu siç është kërkuar nga Bashkësia Islame. /Kosovapress/