Në Kosovë jetojnë 1.8 milion banorë, nga këta, 96 përqind janë myslimanë, 2.2 përqind katolikë dhe 1.5 përqind ortodoksë. Këto janë të dhënat e para të dala nga regjistrimi i fundit i popullsisë, shkruan sot gazeta Express.
Rreth 93 përqind e banorëve janë shqiptarë, 1.5 përqind janë serbë – pa përfshirë Veriun, boshnjakë 1.6, turq 1.1 përqind. Ndonëse Enti i Statistikave ka bërë publike vetëm rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë, gazeta Express ka siguruar të dhënat preliminare për të gjitha etnitetet e regjistruara në Kosovë. Përveç etniteteve, në listën e të dhënave që ka siguruar Express janë edhe qytetarët e regjistruar në bazë të përkatësisë fetare. Nga këto të dhëna del se 1 milion e 660 mijë e 598 qytetarë të Kosovës janë të përkatësisë fetare myslimane.
Sipas këtyre të dhënave, 38 mijë e 223 qytetarë janë të besimit katolik, 25 mijë e 685 të besimit ortodoks.
Në formularët e regjistrimit të popullsisë ishte mundësia edhe të mos e tregonin besimin si dhe t’i mohojnë të gjitha besimet. Kështu 1209 qytetarë të Kosovës janë deklaruar se nuk i përkasin asnjë feje, ndërsa 7077 nuk janë përgjigjur fare se cilës fe i takojnë.
(Kohanet)