Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: BE me sanksione të reja ndaj Sirisë Mon 27 Feb 2012 - 21:12 | |
| Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja mbi Sirinë, bën të ditur REL nga Brukseli.
Për masat është vendosur në takimin e ministrave të jashtëm.
Aty përfshihen ngrirja e aseteve të bankës qendrore, ndalim udhëtimi ndaj shtatë sirianëve të afërt me presidentin Bashar al Asad, ndalim fluturimi për në vendet e BE-së për kompaninë ajrore siriane dhe kufizime në tregun me ar dhe metale të çmuara.
Deri më tash BE ka futur në listë të zezë pothuajse 150 subjekte dhe individë, si dhe ka vënë sanksione ndaj regjimit të Asadit për armë dhe naftë.
Lëvizja e re e BE-së vjen në ditët kur shtetet perëndimore dhe arabe janë zotuar që të rrisin presionin ndaj regjimit dhe të mbështesin opozitën gjatë takimit “Miqtë e Sirisë”, që u mbajt në Tuniz.
Rusia dhe Irani, aleatët e regjimit të Sirisë, së bashku me Kinën, kanë bojkotuar takimin e javës së kaluar.
Perëndimi e quan “mashtrim” referendumin në Siri
Qeveria siriane ka organizuar të dielën referendumin për kushtetutën e re, ndërkohë që dhuna vdekjeprurëse ka vazhduar anembanë vendit.
Opozita i ka bojkotuar votimet, duke i quajtur farsë dhe duke i bërë thirrje presidentit Bashar al-Asad të lërë pushtetin.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se “ekziston çdo mundësi” që Siria të rrëshqasë në luftë civile. Votimet e së dielës, Klinton i ka quajtur “manovrime cinike”.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka thënë se referendumi nuk ishte asgjë tjetër pos një “mashtrim”.
Referendumi për kushtetutën e re lejon teorikisht zgjerimin e sistemit politik të vendit. Ai do të krijonte sistemin shumë-partiak në Sirinë e sunduar nga partia Baath, e cila mori pushtetin me grusht-shtet në vitin 1963.
Të dielën, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë raportuar për dhunë të re në disa qytete të vendit, çfarë ka rezultuar me të paktën 30 të vrarë.
Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe kanë humbur jetën disa mijëra njerëz.
26 Shkurt:
Siri: Mbahet referendumi për ndryshime kushtetuese
Në Siri po mbahet referendumi për ndryshime kushtetuese, me ç’rast votuesit duhet të deklarohen për miratimin e Kushtetutës së re.
Pos reformave të tjera, në këto ndryshime përfshihet edhe përfundimi i pushtetit njëpartiak, që në këtë vend po zgjatë pothuajse pesë dekada.
Këto votime po mbahen në periudhën kur dhuna është intensifikuar në disa territore, gjatë ditëve të fundit.
Grupet opozitare siriane, jashtë Sirisë, thanë se disa njerëz ishin vrarë gjatë luftimeve të djeshme.
Këto grupe dhe shumë qeveri, e kanë kritikuar mbajtjen e referendumit, në kohën kur forcat qeveritare siriane po i sulmojnë grupet opozitare në disa qytete, gjatë dhunës e cila po vazhdon tash e 11 muaj, ndërsa nuk shihet ndonjë përfundim eventual i saj.
25 Shkurt:
Vazhdon masakra ne Homs
Në kohën kur Perëndimi dhe vendet e Ligës Arabe shtojnë presionet për ndalimin e dhunës në Siri, nga vendngjarja mbërrijnë informacione tejet të dhumbshme.
Organizata të të drejtave të njeriut dhe burime të tjera nga opozita anti-Assad, raportuan për të paktën 53 të vrarë nga sulmet e ushtrisë vetëm ditën e shtunë. Dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pjesa më e madhe e viktimave u regjistruan në qytetin e Homsit, kryeqendra e rebelëve, që për thuajse 20 ditë ndodhet në rrebeshin e artilerisë së rëndë të ushtrisë së presidentit Assad. 21 të vrarë u numëruan në këtë qytet, dhe 19 të tjerë në qytetin Hama, ndërsa 6 viktima u shkaktuan nga trazirat në zona të tjera të vendit.
Në Homs, ditën e hënë gjetën vdekjen edhe dy reporterë ndërkombëtarë; gazetarja Marie Colvin dhe një fotoreporter francez. Ata u vranë dhe disa të tjerë u palgosën teksa vendstrehimi i tyre u bombardua nga ushtria.
Siri, Kryqi i Kuq rinis negociatat
Kryqi i Kuq ka deklaruar se ka rinisur përpjekjet për të shpëtuar më shumë qytetarë sirianë të bllokuar nga bombardimet në qytetin e Homsit.
Ditën e premte, Kryqi i Kuq evakuoi shumë persona, për herë të parë që kur ushtria nisi bombardimet në lagjet e qytetit muajin e kaluar.
Dy gazetarë të huaj janë mes personave të plagosur, por nuk është e qartë nëse ata janë mes njerëzve që po largohen nga zonat e goditura.
Ndërkohë, po rritet presioni ndërkombëtar mbi presidentin Bashar al Assad për t’i dhënë fund ofensivave anti popullore që zgjasin prej 11 muajsh.
Ditën e premte, pas negociatash të gjata, autoambulancat siriane depërtuan në lagjen periferike Baba Amr, e cila ka qenë shënjestra kryesore e sulmeve të qeverisë.
Autoambulancat morën 20 gra dhe fëmijë, si dhe shtatë persona të tjerë që ishin të sëmurë apo të plagosur. Këta të fundit u transferuan në një spital të Homsit, bën të ditur KK.
“Kryqi i Kuq do të vazhdojë bisedimet dhe negociatat me autoritetet siriane dhe anëtarët e opozitës në mënyrë që të mund t’i bindim ato për evakuimin e personave të plagosur”, thuhet në një deklaratë.
“Ideja jonë është që të mund të evakuojmë personat e plagosur dhe të sëmurë, ata që janë në gjendje të dëshpëruar dhe kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor”, nënvizohet në të.
Londra në krah të opozitës siriane
Shefi i diplomacisë britanike William Hague ka deklaruar se Londra do të intensifikojë lidhjet me opozitën siriane dhe se vetë ai do të takohet me udhëheqësit e Këshillit Kombëtar Sirian.
“Ne, bashkarisht me vendet e tjera, do t’i trajtojmë ata dhe do t’i njohim si përfaqësuesit legjitimë të popullit sirian”, deklaroi Hague.
Ministri i Jashtëm britanik e cilësoi qeverinë e Assad-it si një regjim kriminal. Kina dhe Rusia kanë sinjalizuar kundërshtimin e tyre për veprime ndaj Sirisë, por z.Hague tha se kinezët po rishikonin qëndrimin e tyre.
Britania ka kërkuar gjithashtu intensififkimin e sanksioneve ekonomike për të shtrënguar darën ndaj regjimit të Damaskut.
Zyrtarët më të lartë britanikë janë takuar edhe më herët me përfaqësues të opozitës siriane, siç ishte takimi i para pakë kohëve në Londër, por kjo është hera e parë që Britania deklaron se do njohë opozitën si përfaqësuese legjitime të popullit dhe jo Assad-in.
Foreign Office njoftoi se ish-amabasadori britanik në Beirut, Francis Guy ishte caktuar si i dërguari i posaçëm, i cili do të bashkëpunojë me udhëheqësit e opozitës siriane në mërgim.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Britania do t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për furnizimin me armë, edhe pse ekziston një marrëveshje e BE-së për embago armësh në Siri.
Një embargo e ngjashme ka ekzistuar edhe me Libinë, por ajo nuk e frenoi dërgimin e armëve dhe ndihmës ushtarake për rebelët libianë që luftonin kundër regjimit të Gaddafi-t.
Përveç mospëlqimit të Rusisë dhe Kinës, i ndryshëm në rastin e Libisë, të gjitha shenjat janë thuajse të ngjashme më atë çka ngjau në Libi kur regjimi i Gaddafi-t ushtronte represion dhe përdorte ushtrinë kundër popullit të vet.
Arabia Saudite, armë për opozitën siriane
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite tha gjatë konferencës për Sirinë në Tunizi, që mbështetja e furnizimit me armë të rebelëve që luftojnë regjimin e Assad është një ide e shkëlqyer, pas komentit që Obama bëri për të përdorur çdo mjet në dispozicion, për të ndaluar masakrën.
Arabia Saudite mbështet armatosjen e ushtrisë guerile opozitare të Sirisë, pas komenteve për një mundësie ndërhyrjeje nga ana e superfuqisë sunite muslimane, për shtypjen e rebelëv nga ana e regjimit të Asad.
Ministri i Jashtëm Saudit, princi Saud al-Faisal, e përshkroi armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare Siriane si një "ide të shkëlqyer" në një takim inaugurues në Tunizi të një grupi anti-Asad, të quajtur Miqtë e Sirisë.
Italia: Jo ndërhyrje ushtarake
Italia është zëri i radhës i ngritur kundër një ndërhyrjeje ushtarake në Siri për të ndalur dhunën e presidentit Bashar al Assad kundër popullit të tij.
Ministria e Jashtme italiane ka përgënjeshtruar zërat se Italia, bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Turqinë, janë shprehur për një ndërhyrje ushtarake në Siri. Mediat publikuan këtë lajm pas takimit të “miqve të Sirisë” në Tunizi.
Por përgënjeshtrimet erdhen me radhë edhe nga Londra dhe Ankaraja, ndërkohë që Franca dhe Uashingtonit nuk janë shprehur ende për këto lajme. Por gjithsesi, për momentin zgjidhja e vetme mbetet ajo politike./tch/rfe/ | |
|