BDI sot pritet të shprehë qëndrimin e saj lidhur me incidentin e fundit të rrahjes së nxënësve shqiptarë nga huliganë maqedonas në Shkup.
Kryesia e ngushtë partiake mbrëmë deri vonë ka mbajtur mbledhjen urgjente me dyer të mbyllura për të vlerësuar situatën e krijuar pas këtij incidenti.
Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani theksoi mbrëmë se në këtë mbledhje do të shqyrtohen të gjitha incidentet që pasuan brenda një periudhe të shkurtër në vend dhe se sipas tij nuk duhet të nënvlerësohet tërë situata e krijuar dhe efektet që mund të pasojnë.
BDI sot pritet të jap qëndrimin e saj për të ulur tensionet dhe për të shprehur një qëndrim të qartë lidhur me parandalimin e dhunës dhe tensioneve.
Zyrtarët e kësaj partie mbrëmë kanë raportuar se janë kapur disa nga huliganët që rrahën fëmijët shqiptarë në lagjen Kisella Vodë dhe se janë ndërmarrë edhe masa tjera.
Ndërkohë, PDSH sot pasdite pritet të mbajë mbledhjen e kryesisë lidhur me ngjarjet e fundit, ku do të shprehet qëndrimi i kësaj partie, e cila dje përmes deputetëve të saj kërkoi mbledhje urgjente të Parlamentit, mirëpo ajo nuk u vendos në rend dite nga ana e kryeparlamentarit Trajko Veljanovski. (INA)