Gjatë punimeve që po kryhen për rikonstuksionin e ambientit rrethues së Xhamisë së Plumbit, në qytetin e Shkodrës, janë zbuluar rrënojat e një tjetër xhamie të vjetër
Sipas drejtuesve të komunitet mysliman kjo xhami duhet të jetë ndërtuar rreth 300 vjet më parë.
Rrënojat i përkasin xhamisë që njihej me emrin xhamia e Qafës, një lagje kjo në hyrje të qytetit të Shkodrës, e ndërtuar rrëzë kalasë Rozafa, buzë lumit Drin.
Myftiu i Shkodrës, Muhamet Syrtari pohoi se kemi të bëjmë me një objekt shumë të rëndësishëm, si nga ana arkitekturore, ashtu dhe nga ana kulturore.
“Rrënojat e zbuluara i përkasin Xhamisë së Qafës. Bëhet fjalë për xhaminë e njërës prej lagjeve më të vjetra, që ka qenë e vendosur në hyrje të qytetit të Shkodrës, ngjitur me kalanë “Rozafa”, buzë lumit Drin. Xhamia e Qafës është ndërtuar shumë kohë më parë se Xhamia e Plumbit. Ka një rëndësi të veçantë për vetë kohën e ndërtimit. “Ne si Myftini e Shkodrës dhe Komuniteti Musliman do t’i kërkojmë Monumenteve të Kulturës që këtë xhami ta klasifikojë si objekt të një rëndësie të veçantë, si monument kulture”, - është shprehur Syrtari.
Sipas tij, shumë shpejt do të nisë puna për të pastruar të gjithë zonën, për të bërë rrethimin, me qëllim që objekti i zbuluar të jetë i gatshëm për t’u vizituar nga të gjithë të interesuarit. Pritet që objektin mbi 300-vjeçar të vijnë dhe ta inspektojnë specialistë të Monumenteve të Kulturës për të bërë verifikimet e nevojshme, ndonëse Myftinia është i sigurtë se bëhet fjalë për Xhamisë e Qafës, ndërtuar para 300 vitesh.
Xhamia e Qafës është shkatërruar plotësisht në vitin 1967, kohën kur regjimi komunist u mundua të zhdukte çdo gjë që ka lidhje me fenë. Madje, me një projekt të veçantë ishte parashikuar që tubacionet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin të kalonin pikërisht tek themelet e kësaj xhamie, që të shkatërrohej plotësisht.