Në jug të Afganistanit u vranë 16 civilë, ndërsa ushtria amerikane e prezantoi ushtarin Robert Bales si dorasin e vetëm. Por në Najib Yan dëshmitarët okularë flasin për një grup të tërë të ushtarëve amerikanë, të cilët sipas tyre kanë hyrë në fshat duke klithur.
Kur Mullah Barani të dielën në mëngjes shkoi në shtëpinë e vëllait të tij, ai gjeti duke qarë kunatën dhe gjashtë fëmijët e saj të frikësuar. Vëllai i tij, Mohammed Daud, qëndronte i shtrirë në dysheme, me një plumb në kokë, i vrarë gjatë natës.
Daud është në mesin e 16 civilëve, të cilët u vranë të të dielën më 11 mars në fshatin Najib Yan, në provincën jugore afgane, Kandahar, diku mes orës dy dhe tre të mëngjesit. Sipas njoftimeve të ushtrisë amerikane, dorasi ishte një oficer, me probleme mendore.
Ai ishte larguar gjatë natës nga baza e tij, kishte ecur në këmbë disa kilometra deri në fshat dhe kishte hyrë në tri shtëpi. Aty ai ka hapur zjarr në drejtim të banorëve.
Hetimet më vonë dëshmuan se kufomat e disa fëmijëve ishin djegur. Dorasi, Robert Bales 38 vjeçar, kishte tentuar të djeg kufomat. Ai fillimisht u dërgua në Kuvajt, e më pas në SHBA. Ushtria amerikane ka theksuar se arsyet për këtë vepër janë problemet që ka pasur Bales me martesë, financa dhe alkool, ndërsa avokati i Balesit për këtë vepër të tij fajëson angazhimin e tij në Irak dhe Afganistan.
Por që nga vepra në fjalë ka thashetheme, se ngjarja ka ndodhur ndryshe: në vend të një dorasi të vetëm, bëhet fjalë për një grup prej 15 ushtarësh të dehur amerikanë, të cilët kanë kaluar nëpër fshat duke vrarë. Ata kanë bërë shaka me njerëzit e frikësuar, e më pas edhe kanë djegur kufomat e të vrarëve.
Një hetim i pavarur i këtyre raporteve është pothuajse i pamundur, pasi që rajoni ku ka ndodhur masakra është tejet i rrezikshëm për gazetarët. Edhe lajmet e medieve afgane nuk janë gjithaq të besueshme, pasi që bazojnë në propagandë gojore dhe shpesh dramatizohen.
Të dhënat e Mullah Baranit mbështesin teorinë, se ndoshta bëhet fjalë megjithatë për më shumë sulmues. Kunata e tij i kishte treguar se ajo, së bashku me bashkëshortin dhe gjashtë fëmijët kanë qenë duke fjetur në një dhomë, kur befas aty hynë ushtarët amerikanë. “Një ushtarë amerikan ka mbajtur duart e bashkëshortit tim, ndërsa tjetri, i cili qëndronte te dera, e ka qëlluar atë në kokë”, citon Baran kunatën e tij.
Nëpërmjet telefonit, Baran përshkroi kështu më tutje fjalët e kunatës së tij: “Ajo tha se kufomën e vëllait tim e kishin vendosur në dysheme. Një nga ushtarët kishte drejtuar armën e tij kah biri i saj gjashtëmuajsh, Hazratullahu. Kunata ime e përgjëroi:’Vratë bashkëshortin tim, por çfarë kërkoni nga djali im?’ Ushtari tjetër e qëlloi me shqelm në bark djalin tjetër pesëvjeçar, Nasibullahun, i cili filloi të qajë. Më pas ata kursyen familjen dhe u larguan”.
Kunata e Baranit ka thënë se ajo kishte parë një numër të ushtarëve amerikanë në kopshtin e saj. Disa prej tyre kanë filluar t’i bërtasin. Ajo nuk i kishte kuptuar, por kishte pasur përshtypjen se ata kërkonin nga ajo që të hynte prapa në shtëpi. “Pra ajo u tërhoq, deri në momentin kur amerikanët u larguan”, rrëfen Baran. Kur ai kishte dal jashtë shtëpisë në mëngjes, kishte dëgjuar zhurmën e helikopterëve.
Sipas Baranit, familja, duke u mbështetur në gjuhën që flisnin, kishte kuptuar se sulmuesit ishin amerikanë. “Çdo gjë ndodhi aq shpejtë, ata nuk kishin kohë që të mbrohen apo të reagojnë”, thotë Baran.
Edhe fshatarët tjerë, vazhdon Baran, kanë dëgjuar të shtëna dhe helikopterë, por nuk kishin dalë jashtë, ngase talebanët, të cilët e kontrollojnë rajonin, kanë urdhëruar banorët që gjatë natës të mos dalin prej shtëpive.
Edhe disa parlamentarë afganë janë të mendimit se në këtë masakër kanë qenë të përfshirë disa dhjetëra ushtarë amerikanë. Për këtë dëshmon një hetim, i kryer nga një Komision parlamentar, theksoi gjatë fundjavës së kaluar deputeti Nahim Lalai Hamidsai.
Sipas të dhënave të Komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë folur për 15 deri në 20 persona të uniformuar. Për këtë teori flet edhe fakti se shtëpitë e sulmuara gjinden mjaft larg njëra-tjetrës. Brenda një kohe të shkurtë, një doras i vetëm nuk do të kishte qenë në gjendje të kryej një masakër të përmasave të këtilla.
Megjithatë, ushtria amerikane dhe ISAF mbesin prapa qëndrimit të tyre se masakra është kryer nga një sulmues i vetëm: personi i dyshuar është Robert Bales. Por, sipas avokatit të Balesit, atij nuk i kujtohet fare kjo vepër.
“Atij i kujtohet se çfarë ka ndodhur më herët dhe më pas, por nuk i kujtohet koha ndërmjet”, deklaroi avokati John Henry Browne, pas takimit të parë që zhvilloi me klientin e tij.
(Der Spiegel)