Regjimi i instaluar para 42 vjetësh nga Hafez al Assad, babait të presidentit aktual, është bërë i pamëshirshëm. Të paktën edhe 31 persona kanë mbetur të vrarë të premten në rajone të ndryshme të Sirisë, si pasojë e represionit të kryer nga forcat besnike të presidentit Bashar al Assad.
Komitetet për të drejtat e njeriut njoftuan se 12 nga viktimat kanë vdekur në Dair az Zor, shtatë në Dara, nga tre në Alepo, Idlib dhe Homs, dy në Damask dhe një në Hama.
Regjimi sirian qe prej 13 muajsh vazhdon shtypjen me dhunë të protestave popullore, pavarësisht apeleve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, në veçanti Perëndimit.
Assad pretendon se po godet grupe kriminale dhe terroriste të armatosura, të cilat sipas saj kanë si synim destabilizimin e vendit dhe futjen e tij në kaos.
Perëndimi, nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara, ka provuar që përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të miratojë një rezolutë që do të lejonte edhe intervenimin për ndaljen e dhunës, por vazhdimisht është paralajmëruar me veto nga Rusia dhe Kina.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Koffi Annan, prej dy javësh ka dështuar të arrijë një marrëveshje për armëpushim dhe ardhjen e nevojtarëve në ndihmë nga ana e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshi edhe atë të Kombeve të Bashkuara, deri më tani, pra për 13 muaj, janë vrarë të paktën 8000 persona, shumica protestues që kërkonin ndryshimin e regjimit të instaluar para 42 vjetësh nga Hafez al Assad, babai i presidentit aktual.
“Pranvera arabe” ka rrëzuar regjimet totalitare dhjetëra-vjeçare në Egjipt dhe Libi, ndërkaq në Jemen, presidenti muaj më parë dha dorëheqje me kusht që të mos ndiqet penalisht. Diktatori libian, Muammer Gaddafi u vra nga revolucionarët, ndërkaq ish-presidenti egjiptian, i cili po mbahet në burg, rrezikon dënimin me burg të përjetshëm, /Telegrafi/