Assadi kritikon Kosovën, u beson trillimeve serbo-ruse
Presidenti sirian Bashar al Assad, bazuar në mediat ruse dhe serbe, ka deklaruar të mërkurën se trupa ushtarake të opozitës siriane po trajnohen në Kosovë me qëllim që siç ka thënë ai, për të fituar përvojë në përgatitjen e një pushtimi ushtarak”.
Këto deklarata presidenti sirian, i vënë në qendër të kritikave të perëndimit për dhunën dhe masakrat ndaj civilëve, i bëri gjatë një interviste për kanalin rus “Vesti-24”.
Assad nuk paraqiti të dhëna dhe fakte konkrete, por u shpreh se këto informacione i bazonte mbi ato çka kishin paraqitur mediat ruse dhe serbe.
Ai deklaroi gjithashtu se ndihej i lodhur me qëndrimin kritik të OKB e cila në vend që të merrej me “terroristët”, siç i cilësoi Assad kryengritësit, po merret me regjimin e tij. “Ndërkombëtarët flasin vetëm për dhunë nga ana e autoriteteve. Asnjë fjalë për terroristët. Jam ende në pritje”, tha Assad.
Presidenti shtoi se ka shpresa në planin e ndërmjetësimit nga Kofi Annan për t’i dhënë fund sulmeve dhe trafiqeve. Ndërkohë që akuzoi opozitën siriane, Këshillin Kombëtar (CNS), se nuk ka peshë politike në vend për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e regjimit të tij.
Në Siri, e cila udhëhiqet prej 12 vjetësh nga Assad, i cili e trashëgoi pushtetin nga regjimi 29 vjeçar i babait të tij, janë vrarë mbi 10 mijë sirianë, shumica civilë, të cilët prej më shumë se një viti kërkojnë rrëzimin e pushtetit të familjes Assad.
Përfaqësues të opozitës siriane ishin në Kosovë muajin e kaluar dhe premtuan se do ta njohin pavarësinë e Kosovën kur ata të vijnë në pushtet. Ky premtim ka bërë që mediat serbe dhe ruse të nxisin reagime ndërkombëtare me trillimin e lajmit se pjesëtarë të opozitës siriane janë trajnuar në Kosovë për të marrë pushtetin në Siri.