Avokatja e 15 vjeçarit Isein Berisha, i ekzekutuar një vit më parë në Çarshi të Vjetër të Shkupit, me një plumb në kokë, thotë se nuk pajtohet me vendimin e Prokurorisë Publike për të hequr dorë nga përndjekja penale e vrasësit Zhivko Kuzmanovski duke e shpallur de facto të pafajshëm. Procesin gjyqësor, të cilin e ëma e të vrarit e cilëson si skandaloz, siç mëson ALSAT-M e ka udhëhequr gjykatësi hetues, Ivica Stefanovski dhe gjykatësi Ognen Stavrev, të cilët për shkak të tërheqjes së padisë nga prokoruria, e kanë tërhequr gjithë procesin duke e lënë kështu Kuzmanovskit të dalë në liri. Avokatja fillimisht shpjegon arsyet se pse prokuroria ka hequr dorë nga padia në fjalë.
“Është vërtetuar se i akuzuari ka marrë veprime gjatë ditës kritike në një gjendje të vetëmbrojtjes së patjetërsueshme nga i dëmtuari Isein Berisha dhe nga këto arsye Prokurori Publik hoqi dorë nga ndjekja penale kundër të akuzuarit Zhivko Kuzmanovski pasi është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale në vetëmbrojtje të patjetërsueshme. Në situata të tilla, gjykatës nuk i mbeti asgjë tjetër përveç të marrë masa sipas dispozitave të Ligjit për Përndjekje Penale dhe vendosi të miratojë një Vendim Refuzues”, deklaroi Tanja Çoçarova-Ilievska, avokate e familjes Berisha.
Por avokatja e familjes Berisha, Tanja Çoçarova-Ilievska paralajmëroi se ka ngritur padi të re deri tek Gjykata Penale Shkupi 1, veprim ky që i lejohet me Ligjin për përndjekje penale. Sipas saj, procesi nuk do të përfundojë me kaq, ngase familja Berisha është e vendosur që drejtësinë ta kërkojë deri në fund.
“Me miratimin e këtij vendimi d.m.th u hap mundësia që të dëmtuarit, gjegjësisht nëna e të dëmtuarit, Suada Hyseini të ketë të drejtë të vazhdojë përndjekjen sipas nenit 56 alinea 2 kundër të akuzuarit Zhivko Kuzmanovski, gjë që ne edhe e bëmë edhe atë me parashtrimin e një akti të substituar që parasheh ligji për përndjekje penale. Përndjekja penale kundër Zhivko Kuzmanovskit do të vazhdojë, por kësaj radhe paditës nuk do të paraqitet Prokuroria Publike por nëna Suada Hyseini, gjegjësisht avokatja e tyre”, tha Tanja Çoçarova-Ilievska – avokate e familjes Berisha.
Rikujtojmë se 67 vjeçari Zhivko Kuzmanovski ka lënë paraburgimin, pasi në bazë të provave të Prokurorisë Publike, ai ka vepruar në vetëmbrojtje të patjetërsueshme kur e ka vrarë Isein Berishën para një viti. Nëna e 15 vjeçarit të ekzekutuar, Suada Hyseini kundërshton lirimin e vrasësit, duke thënë se një vrasës fëmijësh nuk duhet lënë kurrë i lirë. Fëmija, thotë ajo, nuk përbënte kërcënim për askënd, ndaj shteti në Maqedoni, sipas saj, nuk funksionon aspak. Valmir Kuçi