- Cito :
Një grup myslimanësh ngrenë padi për shkak të një programi të policisë për mbikëqyrjen e komuniteteve myslimane
Një grup myslimanësh paditi Bashkinë e qytetit të Nju Jorkut për shkak të një programi të departamentit të policisë për mbikëqyrjen e komuniteteve myslimane, me pretendimin se ai shkel të drejtat e tyre kushtetuese.
Padia vjen si reagim ndaj një serie artikujsh të agjencisë së lajmeve Associated Press ku tregohej se policia e qytetit të Nju Jorkut mbikëqyrte banorë, biznese dhe grupe studentësh myslimanë, në shtetin fqinjë të Nju Xhersit.
Imami Deen Shareef, i cili është një nga personat që paraqitën padinë, u shpreh se ata ishin tepër të shqetësuar mbi faktin se dyshohen për kryerje të aktiviteteve kriminale pa asnjë arsye.
Ndërkohë, policia e Nju Jorkut thotë se programi është në përputhje ligjore dhe i nevojshëm për të parandaluar një tjetër sulm terrorist të ngjashme me sulmin e 11 shtatorit që shkatërroi Qendrën Botërore të Tregtisë.
Zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë thanë se janë duke shqyrtuar një numër kërkesash për hetime ndaj programit të mbikëqyrjes së policisë së Nju Jorkut./voa/