Kandidati presidencial i Francës, Franso Holland, tha se nuk do të shfuqizonte ndalesën e mbulimit të plotë të fytyrës në publik, nëse do të zgjidhej në postin e presidentit.
Ligji,për të cilin kritikët thonë se stigmatizon gratë myslimane ka hyrë në fuqi gjatë presidencës së Nikolas Sarkozi.
Socialisti Holland dhe i djathti Sarkozi do të përballen në balotazhin e 6 majit, për zgjedhje në krye të Francës.
Të dy kandidatët përpiqen të fitojnë mbështetjen e 6.4 milionë votuesve që kanë votuar ekstremin e djathtë – Frontin Kombëtar – në raundin e parë të zgjedhjeve më 22 prill.
Holland, duke folur për RTL-në, tha se do të vazhdonte ndalesën e burkas, por “do ta aplikonte në mënyrën më të mirë”. Ai nuk ka dhënë shpjegime të tjera për këtë.
Holland po ashtu ka thënë se në “kohë të krizave, ka qenë jetike të kufizohej imigracioni ekonomik”.
Ndërkaq sondazhet e fundit nxjerrin fitues Holland./ora/