Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Libri i librave Sun 20 May 2012 - 10:02 | |
| Le ta themi që në kryeherë se libri i librave është Kurani. Mund të tingëllojë radikal ky pohim, aq më tepër në këtë kohë ku qytetërimi ynë materialist është më i gazmendur se kurrë ndonjëherë më parë, që sipas të cilit nuk ka asnjë të vërtetë absolute: Çdo gjë varet, por ky pohim nuk është gjë tjetër vetëm se bindja e njëmendtë e të gjithë atyre që e besojnë këtë libër bashkë me librat e tjerë para tij. Kurani duke qenë i qartë dhe i prerë në atë që kumton, duke mos lënë asnjë tis dyshimi për atë që njëmend kërkon të udhëzohet përmes tij, e sfidoi dhe vazhdon ta sfidojë njerëzimin për të bërë një të barabartë me të (Kurani, 10-38; 28-49); por, Zoti duke qenë i gjithëditur për paaftësinë e njeriut e zbriti këtë sfidë në dhjetë sure ose kapituj (Kurani, 11-13), ndërsa më pas në një kapitull të vetëm (Kurani, 2-23), e në fund vetëm në disa vargje (Kurani, 52-33). Kështu duke dalë pakrahasimisht më superior se çdo inteligjencë njerëzore, Kurani shpalli mrekullinë e tij dhe njëherësh paaftësinë njerëzore duke e nxitur edhe më shumë ngasjen, se, edhe nëse mblidhen sëbashku me njerëzit edhe xhinët nuk kanë për t’ia dalë kurrë që të bëjnë qoftë edhe një ajet të vetëm (Kurani, 17-88). Çdo libër i dalë nga dora e njeriut nuk është gjë tjetër vetëm se gjakim i pavetëdijshëm për të sjellë në jetë një vepër e cila të përthithë e të mbërthejë të gjitha shikimet, thënë ndryshe një libër udhërrëfyes, pasi nuk ka asnjë autor që sado i përunjur të jetë që të mos dojë që vepra e tij të jetë në qendër të vëmendjes, por siç edhe e dimë fort mirë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Nuk ekziston asnjë libër që të mund të jetohet sipas tij. Askush nuk mund të jetojë sipas Platonit ose Kantit, Homerit apo Shekspirit, pavarësisht se këta filozofë dhe poetë kanë lënë një trashëgimi të pashlyeshme për pasardhësit, prapëseprap nuk kanë lënë një modus vivendi, një shembull të prekshëm se si duhet të jetohet. “Shumë kohë përpara Profetit - paqja qoftë mbi të -, arabët e kishin përsosur artin e tyre letrar dhe kishin arritur shkëlqim të veçantë në të. Aftësia e tyre për të prodhuar vepra me vlera të mëdha letrare ishte e pakrahasueshme me çdo kulturë tjetër. Historia nuk njeh popull tjetër, tek i cili fjala dhe bukuria e saj të kishte po kaq rëndësi. Për arabët, bota ishte çështje jete dhe vdekjeje, harrese dhe përjetësie, lufte dhe paqeje, virtyti dhe vesi, fisnikërie dhe rëndomtësie. “Ixhaz” është emri që i është dhënë dukurisë së Kuranit për t’i sfiduar të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat, por veçanërisht bashkëkohësit arabë të Profetit, për të bërë një vepër që të ishte e barabartë me të në bukuri e përsosmëri. Ai përmban dy elemente: i pari është karakteri prej natyre i Kuranit, i cili, kur perceptohet prej mendjes së aftë për ta perceptuar atë, shkakton ndienjën e mahnitjes, të të qenit i prekur, të të ndierit të vlerave më të larta e më të thella, shkurt, të përballjes së realitetit fatfundësor me të gjitha përvojat shoqëruese për një përballje të tillë. E dyta është të kuptuarit e dallimit që ndan njeriun, perceptuesin, nga Zoti, i perceptuari, një tregues i të cilit është paaftësia e njeriut për të bërë diçka të ngjashme me Kuranin. E para është prej natyre për Kuranin, e dyta për njeriun. Arabët të dytës i thonë thjesht “ixhaz”, dukuri apo ngjarje e të mrekullueshmes; kurse të parën e quajnë “vuxhuh el ixhaz” apo aspekte të mrekullisë së Kuranit”. (Ismail Faruki) Nëse letërsia si fusha më e epërme që ka arritur njeriu me fjalën e shkruar, përmes ngjarjes na zbulon rregullin, Kurani përmes rregullit përcakton ngjarjen, pra çdo që i duhet të dijë njeriut për të ndërmarrë pozicionin e duhur. Sfida që Kurani i ka bërë dhe i bën njeriut, në fakt nuk njeh kohë, por është gjithnjë e vazhdueshme. Një dëshmi e dukshme për këtë është forca e Kuranit për t’ua ndryshuar jetën njerëzve duke pranuar Islamin, për t’i bindur ata menjëherë për prejardhjen hyjnore qoftë të tij qoftë të tyre, sepse në thelb njeriu mbetet një qenie thellësisht religjioze, pavarësisht harresave që mund ta kapullojnë atë përgjatë rrugëtimit jetësor. Nuk ka njeri që të lexojë atë që muslimanët kanë shkruar në lidhje me përvojën e tyre me Kuranin, apo që pikas ndikimin e Kuranit mbi ndërgjegjen, jetën dhe mendimet e tyre, dhe të mund të shmangë përfundimin se Kurani është fjala e Zotit zbuluar Profetit Muhamed - paqja qoftë mbi të. Në të vërtetë, qëllimi i Kuranit dhe i çdo zbulese para tij, nuk është sfida ndaj njeriut, përkundrazi, Kurani është shpërfaqje e madhërishme drejtuar njeriut për të kuptuar jetën dhe ekzistencën duke u ndihur pikërisht nga dituria e pamatë e Atij që dhuntoi çdo ekzistencë, ndërkohë që s’ekzistonte absolutisht asgjë. Muslimanët besojnë që Zoti është i vetmi burim epistemologjik, që përmes Zbulesës i mundësoi njeiut të kuptonte mungesën e çdo rastësie rreth krijimit të jetës, ndërsa nga ana tjetër, duke patur parasysh këtë, mundshmërinë e çdo rastësie - sidomos në trajtën e mitit, legjendës, përrallës etj. - nëse si burim epistemologjik merret një autoritet tjetër veç Zotit. Kurani i jep njeriut aq dituri sa është e mjaftueshme për të njohur Zotin dhe të Dërguarin e Tij, e më pas me anë të kësaj diturie ai është i gatshëm ta farkëtojë këtë botë në kuptim dhe në formë, pasi kjo botë nuk është “mbretëria e djallit”, siç besojnë të krishterët, porse një realitet i pashmangshëm për të humbur ose për të fituar botën tjetër - dhe si e tillë e paanashkalueshme. Pra, në këtë pikë hasim një veçori tjetër të Kuranit, që në fakt nuk gjendet te librat e tjerë, që është të qenurit burim i përhershëm njohurie (epistemologjik) për njeriun. Vetë fjala njohje nënkupton të kutposh ose të qartësohesh për një gjë për të cilën nuk mjafton forca e shqisave për ta kuptuar, që pak a shumë i bie të jetë metafizika, gjithnjë sipas kënvështrimit të filozofisë perëndimore, që Kurani e përshenjon me fjalën gajb. E gjithë sa më sipër, nënkupton që njeriu nuk mund ta njohë Zotin dhe asgjë tjetër përtejësore (në kutpimin e pamundësisë së arsyes dhe shqisave për ta kapur), vetëmse duke iu drejtuar fjalës së Zotit, dija e të cilit nuk njeh kufij, dhe siç u përmend edhe më lart, i jep njeriut aq dituri sa ç’është e nevojshme për të kuptuar atë që i duhet të kuptojë, pasi fatkeqësisht një problem tjetër i njeriut modern është se nuk e di edhe se çfarë duhet të kuptojë! Edhe në këtë pikë Kurani e ka dhënë zgjidhjen, madje që në vargjet e para hyrëse: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmshirshmit, Mëshireplotit, Sunduesit të ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! (El-Fatiha, 1-5) Kurani në mënyrë tejet mbresëlënëse i ofron çdocilit atë që i duhet dhe sidomos aq sa i duhet, duke iu drejtuar thjeshtë “atyre që mendojnë”, pra intelektit. Çdokush mund të gjejë atë që kërkon në këtë libër, mrekullitë e të cilit nuk kanë të sosur, pavarësisht besimit, gjinisë, moshës, kombësisë apo ndonjë dallimi tjetër, pasi kumti kuranor është i gjithëbotshëm. Një tjetër veçori e këtij libri është se, ndryshe nga profetët e hershëm, profetësia dhe zbulesat e të cilëve u ngritën përmes thyerjeve të ligjeve të natyrës (d.m.th. përmes kapërcimit të fuqive epistemike të vetëdijes njerëzore), Kurani ua paraqiste “mrekullinë” e tij vetë atyre fuqive që ishin të afta ta kuptonin atë dhe i ftonte ato që ta vlerësonin dhe ta pohonin me kujdes këtë mrekulli apo prejardhjen e tij hyjnore. Thirrja e tij i drejtohej të menduarit dhe të arsyetuarit si dy entitete qenësore të njeriut. Ndërsa zbulesat e tjera e “shtrëngonin” ndërgjegjen përmes thyerjeve të ligjit të natyrës nga ana e tyre, Kurani e bindte atë përmes përmbushjes së asaj çka arsyeja më së tepërmi priste të përmbushej. Kjo është arsyeja se pse natyra e mrekullueshme e Kuranit u bë subjekt studimi dhe analize nga shumë e shumë studiues, por natyrisht edhe nga njerëz të thjeshtë. Një mrekulli fizike si e Moisiut apo e Jezusit thjesht i trondiste shikuesit. Një mrekulli e tyre ishte, për nga natyra e saj, përtej arsyetimit dhe përtej diskutimit. Kurani troket tek arsyeja e njeriut, pra është pranë njeriut, madje më pranë se ç’mund të imagjinohet. Çdo arsyetim të shpie te ky përfundim, ndërsa refuzimi vetëm e mbulon këtë realitet, por nuk e shmang dot: ky është thelbi i mosbesimit, ilaçi i të cilit besoj që sapo është treguar: thjeshtë duhet pak guxim për ta përdorur. | |
|