Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: "Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë" Ali Imran 101. Dëshmoj se nuk i takon me të vërtet adhurimi askujt përveç Allahut, i cili është një dhe nuk ka shok. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
Të nderuar vëllezër musliman,
Allahu, azze ue xhel, e dërgoi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem, mëshirë për të gjithë, për njerëzit dhe xhinët. U dërgua t'i bashkojë zemrat e besimtarëve në besim, t'i pastrojë shpirtrat e tyre prej armiqësisë, të largojë prej zemrave të tyre çdo gjë e cila i çon në urrejtje, dhe që ata të bëhen vëllezër që duhen për hir të Allahut.
Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, na përcjellin në librat e tyre se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:
"Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është ves nga më të këqijtë. Mos u bëni kureshtar (i dhënë pas lajmeve dhe ngjarjeve), mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i përshpallni), mos kini zili për njëri-tjetrin, mos i ndërhyni njëri-tjetrit në shitblerje, mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë, dhe nuk e nënçmon. Devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë). Është shumë e keqe për një njeri kur ai poshtëron vëllanë e tij musliman. Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram: gjakun e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij."Ky hadith i përfshin njëmbëdhjetë ndalesa të cilat ndikojnë në pastrimin e zemrave dhe në largimin e kontradiktave dhe urrejtjeve, në rast se muslimani i vepron.
Thënia e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem:
"Hiqeni prej vetes dyshimin ngase ai është ves nga më të këqijtë" e ka për qëllim shpifjen me supozim e cila bëhet pa asnjë shkak dhe nuk i përshtatet realitetit. Ky lloj dyshimi është i keq, i kotë dhe është mëkat.Allahu, azze ue xhel, thotë:
"Vërtet, disa supozime janë gjynah." Huxhurat 12, dhe "Në të vërtetë, supozimi nuk e zëvendëson aspak të vërtetën." Junus 36.Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm prej supozimeve të këqija dhe të ketë mendim të mirë për vëllanë e tij musliman.
Omeri, radijallahu anhu, thoshte: "Ki mendim të mirë për çdo fjalë që del prej gojës së vëllait tënd musliman, duke qenë i bazuar në mirësinë e saj."
Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: "Më porositën disa vëllezër musliman që të kam mendim të mirë për vëllanë tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta."
Thënia
"Mos u bëni kureshtar" e ka për qëllim dëgjimin e thashethemeve të njerëzve, ndërsa fjala "mos u merrni me të metat e të tjerëve" e ka për qëllim hulumtimin e të metave dhe zbulimin e çështjeve të brendshme.
El Hatabi, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Kuptimi i saj është mos hulumto të metat e njerëzve dhe mos i përcjell ato."
Fjala e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: "mos kini zili për njëri-tjetrin" e ka për qëllim mos kini zili ndaj begative që u janë dhuruar të tjerëve.
Zili është të shpresosh që t'i humb vëllait tënd begatia që e posedon, është zemërim ndaj Allahut në mirësinë dhe begatinë e Tij, si dhe kundërshtim ndaj asaj që ia ka caktuar Allahu robit të Tij prej furnizimit. Allahu, azze ue xhel, thotë:
"A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh." Nisa 54.
Ziliqari kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë dhënë brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t'i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata." Ali Imran 120.
Nuk ka begati që i dhurohet ndokujt e mos të ketë ziliqar. Omeri, radijallahu anhu, thoshte: "Nuk ia ka dhuruar Allahu ndokujt një begati, vetëm se është paraqitur ziliqari i saj."
Modestia dhe ai që e posedon atë janë begati që pakica i kanë zili. Mubridi, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Modestia dhe ai që përshkruhet me të janë begati që shumica nuk i kanë zili, ndërsa mendjemadhësia është sprovë dhe bela e cila nuk e mëshiron pronarin e saj."
Urtësia e saj qëndron në faktin se mendjemadhi mendon se modestia është e ulët dhe humbje, por në fakt ajo është krenari dhe ngritje.
O ti vëlla musliman,
Zilia është sëmundje që e dëmton trupin dhe e ul pozitën e ziliqarit. Prandaj, kënaqu me atë që ta ka caktuar Allahu. Falënderoje Atë për të gjitha begatitë që t'i dhuroi, se kjo është më e dashur për shpirtin dhe më e dashur tek Allahu.
Fjala e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, "mos i ndërhyni njëri-tjetrit në shitblerje", e ka për qëllim kur një njeri i cili paraqitet si blerës e rrit çmimin e mallit dhe ai nuk e ka për qëllim blerjen e saj, por me rritjen e saj dëshiron t'i bëjë dobi shitësit në llogari të myshteriut. Kjo është dëm i madh për myshteriun. Ngjall mes njerëzve urrejtje dhe është ndihmesë në ngrënien e pasurisë me të kotë dhe pa dyshim se është mashtrim për muslimanët.
Thënia "mos u urreni" do të thotë mos veproni gjëra që e nxisin urrejtjen mes jush prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj. Dije vëlla musliman se njerëzit që i bartin fjalët dhe i pasojnë epshet e tyre janë prej njerëzve më të këqij. Ndërsa urrejtja e një vëllai që të këshillon në të mirë dhe të ndalon prej të keqes dhe urrejtja e këshillave të tij për shkak se nuk i përshtatet epsheve dhe pasioneve tua, është sinjal se ti ke sëmundje në zemrën tënde dhe nuk je në rrugë të drejtë.
Ndërsa thënia "mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit ", e ka për qëllim mos e bojkoto vëllanë tënd duke e larguar dhe braktisur, dhe duke mos e përshëndetur me selam apo duke mos ia kthyer selamin.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: "Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllanë e tij musliman më tepër se tre ditë. Ndoshta takohen ose përballen me njëri-tjetrin dhe nëse njëri i kthen shpinën po ashtu edhe tjetri e kthen shpinën. Më i miri prej tyre është ai që e fillon me selam."
Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Braktisjes dhe largimit i thuhet kthim i shpinës për shkak se ai i cili e urren tjetrin e braktis dhe largohet prej tij. Kurse ai i cili largohet dhe e braktis vëllanë e tij vetëm se ia ka kthyer shpinën një muslimani."
Prandaj, o ju musliman frikohuni Allahut, azze ue xhel, dhe falënderoni Atë për begatitë që jua dhuroi. Mos u bëni ziliqarë ndaj begative të të tjerëve dhe kënaquni me atë që Allahu ju furnizoi.
"O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë." Ali Imran 102-103.Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon vetëm Allahut që i bëri besimtarët vëllezër mes veti. Kjo është dhuntia e Allahut ndaj besimtarëve dhe me të vërtetë Allahu zotëron dhunti të madhe. Dëshmoj se nuk i takon me të vërtet adhurimi askujt përveç se Allahutdhe Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, të cilin Allahu e bëri shëmbëlltyrë për të gjithë besimtarët. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju musliman,
Frikohuni Allahut dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Silluni mes veti me urtësi, me butësi, me mençuri, dhe me dashuri. Bashkëpunoni mes veti në mirësi, me zemra të pastra dhe me këshilla të dobishme në çdo gjendje, se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë, dhe nuk e nënçmon."
Thënia "nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak" do të thotë se nuk lejohet t'i bëhet dëm qoftë me fjalë, apo me vepër. Detyrohet ta këshillon dhe t'ia jep të drejtat e tij që i meriton.
Thënia "nuk e lë pa ndihmë " do të thotë se muslimani detyrohet t'i ndihmojë muslimanit, kur ka mundësi, kur ai kërkon ndihmë prej tij me qëllim që ta largojë padrejtësinë prej tij.
Thënia "nuk e nënçmon" e ka për qëllim se nuk ia ul pozitën e tij para njerëzve duke e akuzuar se nuk ka shumë dituri, apo pasuri, apo moshë, apo se në jetën e tij është i pavlefshëm, nuk ka punë të mirë, familja nuk e do, etj.
Nënçmimi burimin e saj e ka prej mendjemadhësisë, ndërsa Allahu, azze ue xhel, na ka njoftuar se nuk e do mendjemadhësinë dhe mendjemëdhenjtë.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në xhenet. Thotë, sal-lallahu alejhi ue selem:
"Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie." - Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? - Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: "Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogancë ndaj njerëzve".Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.
Thënia "devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë)" aludon se Allahu i shikon zemrat dhe veprat, e jo pamjet dhe pasuritë.
Po ashtu përfitojmë se baza e besimit është në zemër, frytet e saj në gjymtyrë dhe se imani është fjalë, vepër dhe besim. Nuk mjafton vetëm emri musliman dhe shpresa se Allahu do të më fal, por besimi është ajo që ngulitet në zemër dhe gjymtyrët e vërtetojnë.
O ti vëlla musliman,
Ashtu si e ke të ndaluar gjakun dhe pasurinë e vëllait tënd musliman, po ashtu e ke të ndaluar edhe nderin e tij duke e fyer dhe shpifur.
Sa njerëz mendojnë keq dhe flasin e shpifin për muslimanët e ndershëm.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Çudi është me disa besimtarë që shumë lehtë mbrohen prej ngrënies së pasurisë haram dhe shikimit haram, mirëpo shumë rëndë mbrohen prej lëvizjes së gjuhës. Sa njerëz i ikin imoraliteteve dhe padrejtësive, mirëpo gjuha e tyre shpif në nderin e të gjallëve dhe të vdekurve dhe s’i intereson se çka flasin."
Disa prej selefit thanë: "Kujdesu që vëllai musliman t'i ketë të garantuar prej teje tri gjëra: Nëse nuk mund t'i bësh mirë mos e dëmto, nëse nuk mund ta gëzosh mos e hidhëro, dhe nëse nuk mund ta lavdërosh mos e kritiko e as nënçmo."
O ti vëlla musliman,
A dëshiron që Allahu të t'i falë mëkatet? Nuk ka aspak dyshim se ti dëshiron faljen, nëse ke zemrën e shëndoshë.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:
"Çdo të enjte dhe të hëne ekspozohen veprat (e njerëzve). Allahu në këto ditë ia fal të gjithëve që nuk i kanë bërë shok Atij, mirëpo e privon vetëm atë që ka armiqësi me vëllanë e tij musliman. Allahu thotë leni këta të dy deri sa të pajtohen mes veti".
O ju musliman,
Armiqtë e Islamit kënaqen kur i shohin muslimanët të përçarë mes veti dhe duke u urryer. Kjo ia lehtëson atyre depërtimin në radhët e muslimanëve dhe devijimin e tyre prej rrugës së drejtë. Prandaj, bashkoni radhët e juaja që tu bashkohen zemrat e juaja. Silluni me mirësi dhe dashuri mes veti dhe kërkoni mbrojtje tek Allahu prej shejtanëve njerëz dhe xhind që dëshirojnë të sjellin armiqësi dhe urrejtje mes muslimanëve.
E lus Allahun, azze ue xhel, që zemrat dhe radhët e muslimanëve t'i bashkon, urrejtjet dhe armiqësitë e tyre t'i largon, ndërsa armiqtë e Islamit dhe muslimanëve t'i shkatërron, dhe të gjitha planet e tyre kundër Islamit t'i asgjëson.
Nga arabishtja: Irfan Jahiu