Pesëmbëdhjetë vjeçari, Jack Andraka, student shkolle nga Maryland, në SHBA, gjatë kohës së lirë merret me hulumtime në njërin prej laboratorëve më prestigjioze për hulumtimin e kancerit në botë, në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore.
Gjatë punimeve në këtë laborator, ai ka zbuluar një test revolucionar i cili zbulon kancerin pankreatik, më shpejt dhe dukshëm më lirë se testet më të mira të këtij lloji.
Ai ka aplikuar për një patentë për testin e tij dhe tani është duke kryer kërkime të mëtejshme në këtë fushë.
Testi i tij është 168 herë më i shpejtë, 25.667 herë më i lirë dhe 400 herë më i ndjeshëm se sa testi ELISA, që përcakton prezencën e antitrupave ndaj infeksionit HIV, virusit të Nilit perëndimor dhe hepatitit B. Sendori i tij kushton vetëm tre dollarë, derisa testi ELISA në disa raste shkon deri në 800 dollarë, ku një shirit shërben vetëm për 10 teste që zgjasin rreth pesë minuta.
Zbulimi i Andrakas tregon edhe prezencën e proteinës e cila dëshmon ekzistencën e kancerit dukshëm më parë sesa vetë sëmundja të bëhet pushtuese. Kjo është shumë e dobishme pasi që sipas përllogaritjeve, më këtë test për çdo vit mund të shpëtoheshin jetët e mijëra njerëzve të sëmurë nga kanceri pankreatik.
Jack Andraka, i cili në maj fitoi 75.000 dollarë në panairin ndërkombëtar të shkencës dhe inxhinierisë për zbulimin e tij, përmend motorët e kërkimit dhe gazetat falas online si mjete që ia lejuan atij për të krijuar testin.
“Kurrë nuk do të mund ta realizoja këtë hulumtim dhe projekt pa e përdorur internetin. Ideja për zbulim më lindi derisa po kalkuloja disa gjëra në orën e mësimit të lëndës së biologjisë.”, thotë Andraka.