Dokumente tepër sekrete të Damaskut zyrtar, të cilat tregojnë se si regjimi planifikon të shtypë protestat mbarëkombëtare u publikuan ditën e hënë nga kanali “Al-Jazeera”.
Televizioni arab specifikoi se ka arritur të sigurojë dokumentat autentike nga Abdel Majid Barakat, një zyrtar i lartë që vendosi të kalonte në radhët e rebelëve disa javë më parë.
Ish-drejtuesi i lartë i Partisë Bath, i cili ishte i ngarkuar me mbikqyrjen e informatave nga të gjitha qytetet siriane në Zyrën Qëndrore të Krizave në Damask, është larguar së fundmi në Turqi.
Midis dokumentave ndodhen edhe fletë të tëra që mbajnë vetë firmën e al-Assad apo të tjera që janë hartuar nga Shërbimet Sekrete Siriane.
Dokumentat prej qindra faqesh tregojnë se si autoritetet janë të dëshpëruara që të ruajnë kontrollin mbi Damask dhe zonat përreth, ndërsa përmbajnë edhe urdhërat e dhënë ushtrisë për të penguar këdo nga zonat e tjera të vendit që të futet në kryeqytet pa autorizim.
”Al Jazeera” zbuloi edhe plane të detajuara për shtypjen e protestave në qytetet e Alepos dhe Idlibit. Në një prej provave që mbajnë firmën e Assad, lexohet se si është dhënë urdhëri për të mbështetur financiarisht të gjithë besnikët e regjimit në Alepo.
Në një prej kabllogramëve të publikuar, qeveria pyeste Ministrin e Jashtëm rreth vendeve që po përpiqen të influencojnë tek diplomatët sirianë që ata të braktisin detyrë.
”Çdo mëngjes, në orën shtatë me orën e Damaskut, ka një mbledhje të të gjithë shefave të Shërbimeve Sekrete, që në bazë të ngjarjeve që ka ndodhur në vend gjatë 24 orëve të fundit, bëjnë gati planet dhe urdhërat e tyre të ditës”, informoi “Al Jazeera”.
”Të gjitha urdhërat dhe rekomandimet që dalin shkojnë direkt në zyrën e presidentit dhe ato hyjnë në zbatim vetëm nëse Assad vendos firmën e tij”.
Gjithashtu, disa faqe dokumente zbulojnë se si qeveria kishte spiunët e saj brenda misionit të Ligës Arabe, i cili vizitoi Sirinë në një përpjekje për të garantuar paqe në vend./tch/