Evans Drishti
[size=12]Allahu i Lartmadhëruar na ka krijuar në mënyrën më të përkryer, ne gëzojmë një fizik të plotë dhe të rregullt. Megjithëse ekziston një rregull i tillë, nuk mund të themi se njeriu, si qenie njerëzore, është i pagabueshëm. Të mendojmë në një çast se që nga fëmijëria njeriu është vazhdimisht në kërkim dhe gjatë kësaj rruge aspak të lehtë ai haset me vështirësi të ndryshme. Kërkimi i diçkaje buron nga dëshira për të realizuar një kërkesë të tij dhe padyshim që jo gjithmonë këto kërkesa janë të realizueshme.
Njeriu është një qenie që vazhdimisht bashkëvepron me të tjerët dhe si qenie sociale është i detyruar që t’i përshtatet kushteve dhe ambientit ku ai jeton. Nëse ne pranojmë se jemi të gabueshëm, atëherë duhet të pranojmë edhe faktin tjetër që devijimet në këtë rrugë të gjatë janë të pashmangshme gjë që na çon më pas edhe në gabime të cilat mund të jetë nga më të ndryshmet.
Shumë herë dëgjojmë shprehjen "Gabimi është njerëzor", ndërkohë që nuk përpiqemi t’i gjejmë përgjigje pyetjes – Sa përpiqemi t’i rregullojmë këto gabime? Pasi në fund të fundit, nëse gabimi është njerëzor dhe i rikoperueshëm, atëherë më rregullimin e këtij e gabimi të kryer bëjmë një gjë mjaft madhore, rregullojmë apo vendosim në një sistem normash një qenie njerëzore dhe duke rregulluar një njeri, pa dashur shohim se kemi rregulluar edhe një shoqëri.
Gjëja e parë që duhet bërë është të përcaktojmë gabimin dhe më pas ta ndreqim. Pra nëse jemi të vetëdijshëm se ajo që kemi bërë është gabim, atëherë të ndalemi dhe të mendojmë se a ka shpëtim nga kjo rrugë e nisur gabim. Në këtë rast, feja jonë e ndritur Islami, padyshim që na jep këshillën e saj të artë, çelësin e çdo gjëje. Ajo na udhëzon për të kërkuar atë që në gjuhën e Islamit quhet "Tevbe" apo "Pendimi" Dhe kështu hapi i parë që duhet të ndjekë njeriu për të korrigjuar veten dhe për të shkuar drejt mirësisë, është të pendohet për gabimin e bërë. Kjo gjë lidhet natyrshëm me gjendjen shpirtërore të individit. Kur themi se njeriu duhet të krijojë vetëdijen e tij në lidhje me gabimin e bërë, ai në këtë rast duhet të ndërgjegjëso
het dhe të kultivojë në zemrën dhe shpirtin e tij një vullnet të tillë që të mos bëjë hap mbrapa në vendimin e marrë, por të ecë me hapa të sigurtë në rrugën e drejtë.
Shpeshherë pendohemi për diçka dhe përsëri në rrugë e sipër biem në grackën e atij gabimi. Atëherë ajo që duhet bërë si hap i dytë është pikërisht forcimi i zemrës dhe shpirtit tonë duke u lidhur përherë me Krijuesin e gjithësisë. Njeriu për nga natyra është një qenie e brishtë dhe rrëshqet lehtë nga shumë erëra të kohës dhe, mbi të gjitha, shumë herë njeriu tregohet edhe mosmirënjohës ndaj dhuntive dhe mirësive të Allahut të Lartë. Prandaj që njeriu të fitojë sigurinë në vetvete, të fitojë qetësinë shpirtërore dhe të jetë në gjendje të përballojë sfida të ndryshme, duhet të lidhet me Zotin në çdo moment duke i shprehur pendimin e tij për gabimin e bërë dhe duke iu lutur përherë vetëm me pendim. Prandaj një armë mjaft e mirë në këtë rast është falja e namazit. Pasi me faljen e namazit ne jo vetëm i drejtohemi Krijuesit tonë, por i përulemi Atij duke kërkuar falje për gabimet që bëjmë. Nga ana tjetër me anë të namazit në fitojmë qetësi shpirtërore duke kultivuar edhe vullnetin tonë për gjërat që kryejmë. Është një fatmirësi e madhe që njeriu të kërkojë dhe të gjejë mbështetje diku dhe këtë më mirë se e gjen tek Krijuesi i tij, nuk mund ta gjejë askund tjetër. Me të vërtetë që, të gjithë kemi familjen tonë, shoqërinë që na rrethon, por kur mendojmë se njeriu është qenie e gabueshme, atëherë si mund të kërkohet ndihmë nga një individ që është i gabueshëm dhe që vetë bie lehtë në gabime? Prandaj njeriu mbështetjen themelore në çdo punë e merr vetëm nga Allahu i Lartë dhe vetëm Atij i drejtohet si në raste gëzimesh ashtu edhe në momente të vështira.
Kështu çdo njeri në këtë botë është krijuar në atë mënyrë që botëkuptimi i tij nuk përfshin çdo hapësirë apo fushë të jetës dhe si i tillë njeriu nuk mund të jetë në gjendje të konceptojë çdo gjë në këtë jetë. Për këtë arsye duke qenë i pafuqishëm për zgjidhjen e shumë problemeve jetësore është i detyruar që të kërkojë mbështetje te një forcë krijuese më e madhe dhe kjo fuqi krijuese nuk mund të jetë tjetër veç Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Lartmadhëruar.
Me të vërtetë, a pendohemi në jetën e përditshme për gabimet që bëjmë dhe ajo që është më e rëndësishme, a kërkojmë falje? Të kërkosh falje për diçka nuk është asnjëherë një ulje e personalitetit individual apo një humbje vlerash kulturore, përkundrazi të kërkosh falje do të thotë t’i japësh vetes më shumë vlera se ç’ke në të vërtetë dhe të formosh një personalitet akoma edhe më të fuqishëm pasi mos të harrojmë se kërkimi i faljes na çon edhe në fitimin e një zemre më shumë. Të fitosh një zemër do të thotë të përmirësosh një karakter dhe si rrjedhojë të formosh një shoqëri të re me individë të moralshëm, pasi në fund të fundit falja është edhe një shprehje e etikës dhe një morali të mirë. Kërkimi i faljes është një obligim dhe domosdoshmëri për çdo njeri, pa dallim posti apo race. Pra nuk është vetëm njeriu i thjeshtë ai që duhet të kërkojë falje para dikujt e për më tepër para Zotit Krijues, por janë edhe drejtuesit e institucioneve të ndryshme deri në instancat më të larta që e kanë për detyrë të kërkojnë falje dhe të pendohen. Në një hadith Pejgamberi (a.s) thotë: "Kush nuk kërkon falje, merr një gjynah të madh".
Një besimtar i mirë është ai që me gjuhën dhe formimin e tij, bën për vete një besimtar tjetër dhe kështu i tregon edhe rrugën e duhur. Një besimtar i mirë di të reagojë ndaj situatave të ndryshme dhe nuk revoltohet, përkundrazi gjërat i merr me gjakftohtësi për të gjetur zgjidhjen e tyre. Këtë e bën padyshim se ka mbështetjen e përhershme te Allahu i Lartë dhe se është një njeri që pendohet dhe kërkon falje për gabimet e bëra.
Çfarë humb ai që gjen Allahun?
Çfarë fiton ai që e humb Atë? Kush gjen Allahun gjen çdo gjë, ndërsa kush nuk e gjen Atë, nuk gjen asgjë.