A mund të themi se në familjet tona konceptimi i fesë ka qenë një problem? Kam përshtypjen se është diçka më tepër se kaq.
Të gjithë jemi në dijeni të faktit se gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë apo siç jemi mësuar ta shprehim ndryshe këtë “të parët tanë” në një mënyrë apo në tjetrën e kanë jetuar fenë dhe janë përpjekur me të gjitha mundësitë që ta praktikojnë atë. Por që fatkeqësisht ishte periudha e sistemit komunist që i la njerëzit në errësirën e injorancës duke i larguar nga konceptimi dhe mendimi mbi fenë dhe duke i bërë ata që të përkëdhelnin ateizmin, pa e ditur në fakt se ç’po bënin. Dhe është pikërisht brezi i prindërve tanë që mbetën
peng e kësaj fatkeqësie aq sa herë herë mendonin se ato lutje apo ato rite fetare që vazhduan t’i bënin tashmë haptazi në periudhën e demokracisë të moshuarit, u përkisnin vetëm atyre (pra të moshuarve).
Shumë herë kur të rinjtë pyesin prindërit e tyre për këto rite fetare, prindërit të zhytur në këtë “injorancë”, ngaqë nuk dinin t’u kthenin përgjigje, përpiqeshin që t’u shmangeshin në mënyra të ndryshme dhe kjo bëri që brezi i ri asnjëherë të mos merrte përgjigje qoftë edhe të pjesshme për
problemet fetare, por që këta prindër nuk e kuptonin këtë që ato vetë po bëheshin shkaktarë që të mbanin peng të injorancës edhe fëmijët e tyre edhe pse jeta evoluon me hapa tepër të shpejtë.
Nga ana tjetër e medaljes kemi një realitet të zymtë ku për vetë kushtet dhe realitetin që jetohet, ka shumë të rinj që kërkojnë të dinë diçka më shumë nga ato që kanë dëgjuar në lidhje me problemin në fjalë, por që fatkeqësisht pengohen nga prindërit e tyre të cilët vazhdojnë të paragjykojnë mjaft ashpër duke shkuar deri në atë pikë saqë pandehin se të merresh me një problem të tillë është një “prapambetje”.
Unë jam i mendimit se çdo mendje e shëndoshë njerëzore do ta shqyrtonte si tepër të gabuar një reagim të tillë kaq të ashpër.
Së pari, nuk duhet harruar që detyra e prindit nuk është vetëm thjeshtë sigurimi i veshmbathjes apo i ushqimit për fëmijën. Detyrë parësore e tyre është padyshim arsimimi i fëmijëve. Dhe tashmë dihet që ky arsimim fillon pikësëpari tek familja, pasi prindi është edhe mësuesi i parë i fëmijës. Asnjëherë s’mund të pajtohem me ato prindër që thonë: “nuk përzihem në mësimet e fëmijës”. Është detyra juaj prindër që të kujdeseni hap pas hapi me edukimin e fëmijës suaj pasi kjo është një përgjegjësi që keni marrë përsipër dhe
është edhe një domosdoshmëri që e kërkon vetë jeta.
Së dyti, jam i mendimit se sot çdo njeri që i thotë vetes se është i pjekur mendërisht, duhet patjetër të informohet për shumë e shumë probleme të kohës. Dhe një nga këto probleme është edhe çështja fetare. Një filozof i shquar thoshte “Ajo që di unë është se nuk di asgjë” Ndërsa vetë Profeti ynë Muhammedi (a.s) thoshte: “Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr” duke theksuar kështu edhe domosdoshmërinë e kërkimit të dijes dhe faktin edhe më të rëndësishëm që kërkimi i dijes nuk njeh moshë.
Atëherë mos vallë jemi aq të aftë aq sa nuk kemi nevojë për të mësuar më tepër, për të ditur diçka më shumë nga ajo që dimë, për t’u informuar më shumë për problemet që na shfaq koha dhe që presin përgjigje vetëm prej nesh? A nuk mendojmë se çdo ditë që kalon është një kohë e humbur për ne?
Unë besoj se të gjithë kemi nevojë për më shumë arsim dhe kulturë dhe asnjëherë nuk duhet të mjaftohemi me aq sa kemi, pasi dija është një brilant i çmuar dhe po e lë të ikë, nuk të vjen më në dorë. Dija është një burim uji i pashtershëm ku çdo moment kemi nevojë për të. Asnjëherë nuk është vonë për të ditur diçka më shumë.
Prandaj nga këtu del edhe ajo që prindërit e kanë për detyrë të informojnë fëmijët e tyre për problemet e jetës dhe në rastin konkret për çështjen e fesë. Ata vetë nuk duhet t’i pengojnë asnjëherë fëmijët e tyre që të merren apo të mësojnë diçka për fenë e tyre dhe për fetë e tjera. Bile përkundrazi duhet të jenë ato të parët që të mësojnë për fenë në mënyrë që të dinë t’u japin shpjegim edhe problemeve që hasin ato dhe fëmijët e tyre. Ata duhet t’u shmangen paragjykimeve, të mos pajtohen asnjëherë me to, por të kërkojnë gjithmonë të vërtetën në mënyrë që edhe ato vetë të orientohen dhe të udhëzohen në rrugë të drejtë.
Me këtë rast unë i bëj një thirrje së pari të gjithë prindërve që t’u hapin rrugë fëmijëve të tyre që ta kërkojnë dijen dhe së dyti të rinjve: Ejani të rinj! Të kërkojmë vetveten