Besimi është shkaku i ekzistencës së jetës ndërsa dhikri (përmendja e Allahut) është uji I jetës që e gjallëron atë. Ajo që ndikon negativisht në pemën e besimit, është krimbi i pavetëdijes.
Për të zhdukur helmin e pavetëdijes në qenien tonë duhet të shfrytëzojmë dhikrin , si kundërhelm të saj. Ajo që e pastron më së miri pasqyrën e shpirtit nga papastërtitë e kësaj bote dhe nga helmi i pavetëdijes, është dhikri i tevhidit. Mevlana thotë:
Shpirti është një pasqyrë që tregon Krijuesin.
Pse vallë pasqyra jote është e mjegullt dhe e paqartë? Nëse dëshiron që pasqyra jote të jetë e shndritshme,
Dije mirë që xhelaja e saj më e mirë është dhikri i tevhidit!
Pavetëdija dhe pasiguria e paralizon jetën shpirtërore të njeriut. Ajo është një sëmundje shpirtërore që dobëson marrëdhëniet me Allahun dhe e vërtit tërësisht pas interesave të kësaj bote. Njeriu i cili është zhytur në pavetëdije dhe i rënë pre kësaj bote vrapon vazhdimisht pas dëshirave dhe imagjinatave që i ofron ajo. Nganjëherë i shkatërron ato dhe nganjëherë i shpërndan si krimbat. Nganjëherë fluturon nëpër male si thëllënzë e nganjëherë sillet si drenushë nëpër lëndina. Nuk është në dijeni njeriu i gjorë se bota në të cilën sillet e vërtitet e në kurthin e së cilës ka rënë është thjesht një vend loje dhe argëtimi. Nuk e di se bota është mbretëria e atyre që nuk kanë kapital, kapitali i të palumturve, varfëria e të varfërve, argëtimi i njerëzve të kotë. Kjo botë i ngjan një të dashure të djallëzuar që ta mbyt shpirtin, një prostitute që luan me rregullat e moralit, një miku të ngushtë që s’ka besë, një dadoje pa dhembshuri, një armiku hileqar. Atë që ka dashur dhe përkëdhelur në mëngjes e ka shkatërruar dhe falimentuar në darkë. Atë që ka gëzuar sot, e ka shkatërruar të nesërmen në zjarrin e saj përvëlues.