Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë se Turqia mund të mbështetet në solidaritetin e NATO-s, duke shtuar se aleanca ushtarake i ka “të gjitha planet e nevojshme për ta mbrojtur dhe përkrahur Turqinë, nëse paraqitet nevoja”.
Rasmussen i dha këto komente sot në Bruksel, para një takimi me ministrat e mbrojtjes së NATO-s.
Bisedimet dy-ditore vijnë në kohën kur tensionet ndërmjet Sirisë dhe anëtares së NATO-s, Turqisë, janë në rritje.
Ushtria turke në vazhdimësi po ndërmerr sulme hakmarrëse ndaj Sirisë, e cila po i bombardon fshatërat kufitare me Turqinë.
Ndërkohë, Rasmussen ka folur edhe për situatën në Afganistan.
“Armiqtë e Afganistanit po bëjnë përpjekje që ta nënvlerësojnë progresin që e kemi arritur në ndërtimin e sigurisë atje, si dhe në ndërtimin e forcave afgane. Por ne nuk do t’i lejojmë që të kenë sukses”, ka thënë Rasmussen.
Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në arritjen e qëllimeve dhe zbatimin e strategjive në Afganistan. /rfe/